Myftiu dha mesazhin me rastin e Tre Muajve të Mirë 1442

Nga minberi i xhamisë së fshatit Bardhaj, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, iu drejtua besimtarëve me një mesazh, me rastin e fillimit të Tre Muajve të Mirë: Rexheb, Shaban dhe Ramazan 1442/2021.

Myftiu lajmëroi se dita e shtunë, më 13 shkurt 2021 përkon me ditën e parë të muajit të shenjtë Rexheb 1442, ku theksoi se në këtë atmosferë, është detyrë e besimtarëve muslimanë që ta presin këtë mirësi me istigfare, sadeka, lutje e llogari të veprave personale.

“Fillimi i Tre Muajve të Mirë është mundësi e madhe për të përmirësuar marrëdhënien me Zotin e gjithësisë, shtimin e dhikreve, agjërimeve nafile, sadekasë, përkrahjen e nevojtarëve, etj.

Është një mundësi e mrekullueshme për rregullimin e marrëdhënieve familjare, farefisnore dhe ato shoqërore, duke mos hezituar për të rregulluar çfarë është prishur më parë!

Para Islamit, në Muajt e Shenjtë, prej të cilëve është edhe muaji Rexheb, idhujtarët ndalonin edhe luftërat në mes vete. Koha është që besimtarët në këtë periudhë të kontrollojnë gjuhët, të ndalojnë të keqen në mes tyre, të distancohen nga gibeti e thashethemet, të rregullojnë nijetin e të pastrojnë zemrën nga sëmundjet e saj.” – tha, ndër të tjera, Myftiu.

Hytben e plotë e dëgjoni në linkun e mëposhtëm: