Mbarë bota islame kremtoi të mërkurën, më 10 mars 2021, Natën e Madhe të Israsë dhe të Miraxhit.
Edhe në Shqipëri u përkujtua Nata e Mirë, ku në xhamitë e ndryshme, edhe pse në kushte të vështira pandemie u bënë dua-lutje, programe fetare, këndime ilahi dhe salavate.
Ndërsa, në metropolin verior, në Shkodër, Myftinia e kësaj zone zhvilloi në xhaminë e Parrucës, pas iqindisë aktivitetin me temë:”Në përkujtim të mrekullisë së Israsë dhe Miraxhit”.
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, para të pranishmeve dha mesazhin e vendosjes së paqes, harmonisë dhe barazisë sociale në çdo vend të botës.
Myftiu kërkoi prej besimtarëve që të dëshmojnë mëshirën me njeri-tjetrin, të ruajnë dinjitetin dhe Islamin që Zoti ka krenuar këtë ummet deri në ditën e fundit…
Myftiu i Shkodrës, në fund të mesazhit të tij u lut për të gjithë ata besimtarë që kanë kaluar në jetën tjetër të amshuar, që Zoti t’i mëshirojë, sidomos në këto tre muaj të mirë të besimit, Rexhep, Shaban dhe zotëria i krejt muajve, muaji i bekuar i Ramazanit…
Më pas, imamët Lavdrim Hamja, Naim Drijaj dhe Durim Kasemi folën për rëndësinë dhe vlerën e madhe që mbart ngjarja dhe mrekullia e Israsë dhe Miraxhit.