Mesazhi i Myftiut të Shkodrës, me rastin e hyrjes së Hënës së re të muajit Shaban 14442/2021

Të dashur dhe të shtrenjtë vëllezër dhe motra besimtarë muslimanë!

Më lejoni që në prag të ezanit të akshamit të kësaj mbrëmjeje t’ju uroj me zemër me rastin e fillimit të muajit të begatë të Shabanit, i cili i paraprin muajit të madhërueshëm të Ramazanit.

Me fillimin e Hënës së rë të këtij muaji të madhërueshëm të gjithë ne jemi të ftuar nga Zoti i Gjithësisë që të përfitojmë maksimalisht nga koha për të hyrë në një marrëdhënie të re me Zotin e Gjithësisë në prag të muajit të madhërueshëm të Ramazanit.

A e keni vënë re se sa herë ne bëhemi gati për një udhëtim të largët për të realizuar një dëshirë apo një qëllim fisnik nuk e lemë përgatitjen për ditën e fundit, as nuk e lemë përgatitjen për momentin e fundit, por bëhemi gati me mendimet tona, me përfytyrimet tona si dhe me shënimet tona.

Na pyesin se kur do të shkojmë, kur do të jetë udhëtimi? Dikush na kërkon që t’i sjellim diçka, dikush diçka tjetër. Ata që kanë udhëtuar drejt Qabes së madhërueshme ose Medines së Pejgamberit (a.s), apo kanë vizituar Kajron, Damaskun, Stambollin, etj dhe është përhapur fjala se do ta bëjnë këtë udhëtim, e keni parasysh se si njerëzit vijnë për t’i uruar; dikush i kërkon një dhuratë, dikush i kërkon një kujtim e kështu me radhë. Edhe njeriu vetë kur bëhet gati për një udhëtim të veçantë në jetën e tij apo bëhet gati për të pritur një mik të veçantë në jetën e tij fillon e përgatitet, rregullon shtëpinë, rregullon makinën, pajisjet e ndryshme me të cilat do t’i shërbejë mikut të tij. Në këtë mënyrë ai bëhet gati që kur të vijë miku ta gjejë gjithçka sipas dëshirës së tij dhe ta presë me zemër të madhe. Ashtu edhe muaji i Ramazanit kërkon nga gjithsecili të përgatitet dhe jo ta lërë angazhimin për pritjen e Ramazanit në natën e fundit të muajit Shaban.

Tashmë ky muaj që po vjen ka një porosi të madhe nga Pejgamberi (a.s). E pyeti një ditë Hz. Usame ibn Zejd (r.a) dhe i tha: “Ja Resulallah, nuk të kam parë të agjërosh një muaj tjetër, përveç Ramazanit, si muajin Shaban”.  Pejgamberi (a.s) i tha: “Ky është një muaj në të cilin shumë njerëz janë neglizhentë dhe janë të hutuar ndërmjet Rexhebit dhe Ramazanit. Në këtë muaj lartësohen veprat tona tek Allahu (xh.sh) dhe unë dua që kur të shkojë vepra ime të Zoti i Gjithësisë të jem agjërueshëm!” Subhanallah!

Është një nxitje shumë e madhe, të dashurit e mi, që të përgatitemi me agjërim, të përgatitemi me istigfar, të përgatitemi me sadaka, me kontrollimin e fjalëve, me kontrollimin e mendimeve, me kontrollimin e sjelljeve, të bëhemi gati për pritjen e Ramazanit në mënyrë që atmosfera e begatë e këtij muaji Mubarek që po vjen të na përfshijë kohë më përpara.

A nuk i keni dëgjuar sahabët e Pejgamberit (a.s), sikurse na thonë librat e Hadithit, se përgatiteshin për Ramazan 6 muaj përpara se të vinte!? A nuk e keni parë se Pejgamberi (a.s), sipas Hadithit dhe transmetimeve të tjera, e ka pritur Ramazanin me agjërim, e ka pritur Ramazanin me vepra të mira, me sjellje të mira, me shtimin e adhurimeve, me përsosmërinë dhe perfeksionimin e adhurimeve? A nuk kuptojmë prej kësaj fjale të madhe të Pejgamberit (a.s) se është momenti që gjithsecili prej nesh të bëhet gati se një mik i madh po vjen dhe një mundësi e madhe po vjen dhe nuk e dimë a do t’ia mbërrijmë apo jo asaj dite të madhërueshme!?

Tashmë që muaji Shaban po afrohet edhe pak po shfaqet Hëna e re e këtij muajit të begatë, prandaj ta bëjmë nijetin që nga ky moment për të pritur muajin e madhërueshëm të Ramazanit me përsosmërinë dhe kontrollimin e adhurimit dhe sjelljeve tona duke filluar nga ky muaj i madhërueshëm i Shabanit. Të lëmë pas krahëve fjalët, thashethemet, angazhimet e panevojshme dhe të pakuptimta që na bëjnë të largohemi nga thelbi i besimit dhe thelbi i adhurimit, sidomos në këtë periudhë të begatë.

Muaji Rexheb, një muaji i madhëruar në Kur’anin Famëlartë, një muaj i begatë për të cilin ka sinjalizuar vetë Zoti i Gjithësisë përfundoi e shkoi. Lum ata që përfituan dhe u angazhuan më shumë sesa muajt e tjerë në këtë muaj të madhërueshëm dhe mjerë për ata, të cilët gabimisht ose ndoshta qëllimisht i morën për dore njerëzit në thashetheme dhe drejt neglizhencës ndaj hakut të këtij muaji të begatë dhe madhnueshëm.

Prandaj tani që po vjen Shabani mos të bëhemi prej atyre që neglizhojnë, siç thoshte Pejgamberi (a.s): “Është një muaj, ndërmjet Rexhepit dhe Ramazanit, ku njerëzit janë të hutuar dhe neglizhojnë”. Pra, njerëzit hutohen e neglizhojnë, nuk e dinë vlerën e këtij muaji të madhnueshëm në të cilin lartësohen veprat tona, i paraqiten Zotit të gjithësisë, dhe Pejgamberi thotë: “…Unë dua që vepra ime, kur të lartësohet, të shoqërohet me agjërimin…”, pse me agjërimin? Pse jo me namazin, pse jo me sadakanë, pse jo me një vepër tjetër? Sepse agjërimi ka një sekret, i cili dominon mbi sekretet e krejt adhurimeve të tjera… “Agjërimi është i Imi”, thotë Allahu (xh.sh) dhe vetëm Ai e jep shpërblimin për të.

Imagjinoni sikur vepra e gjithsecilit të lartësohet dhe baras me të, të jetë dhe agjërimi si ndërmjetës tek Zoti i gjithësisë për t’u pranuar vepra e secilit prej nesh.

Të bëhemi gati, të dashurit e mi, sepse një mirësi po vjen po troket në dyert e kësaj bote. Një mirësi e madhe po na vjen nga Zoti i Gjithësisë, i Cili na fton për të qenë të vëmendshëm për t’u kthyer nga Madhëria e tij, Subhanehu ve Teala, për t’u larguar nga thashethemnaja, për t’u largu nga haramet, për t’u larguar nga mosrespekti i vullnetit dhe ligjeve të Zotit, për t’u larguar dhe distancuar nga gjithçka që na largon nga Zoti ynë dhe qëllimit fisnik në jetë, si dhe për t’u distancuar nga haramet dhe gjërat e papëlqyera, të cilat e prishin rrugëtimin drejt Zotit të tij e mbi të gjitha për t’u afruar me Zotin e Gjithësisë, për të përfituar paksa nga namazi i natës, për të përfituar nga dhikri dhe për të përfituar nga leximi i Kur’anit.

Nëse nuk e ke bërë nijet deri në këto momente, bëje nijet nga sot, nga ky çast që të nisësh një hatme të Kur’anit dhe ta përfundosh pa arrit muaji i Madhërueshëm i Ramazanit. Nëse netët e tjera i ke neglizhuar dhe ke fjet, ndoshta pa falë edhe jacinë, ndoshta pa falë edhe vitrin, ndoshta pa falë e pa falë, bëje nijet nga ky moment që sonte me përfundimin e jacisë të falesh edhe 2 rekate, qoftë edhe 2 rekate të vogla si namaz kijamul-lejl, si namaz nate dhe t’i lutesh Allahut, Subhanehe ve Teala, në sexhden e këtij namazi sado i shkurtër të jetë për mbarësinë tënde, për faljen tënde, për mëshirimin tënd, për begatinë tënde, për rriskun tënd, për familjen tënde, për vëllezërit e tu, për motrat tuaja, për studimet tuaja, për shkollën tënde, për punën tënde, për mbarësinë me të dhanë Allahu Azevexhel, për shëndetin me të dhanë Allahu (xh.sh), pra me të begatu në prag të këtij muaji të madhërueshëm që po vjen; që është Ramazani mubarek, ja dhe salavatet përmbi Pejgamberit (a.s(, që zbukurojnë atmosferën tonë, nga minaret  qytetit tonë. Si për të tërheqë vëmendjen e krejt myslimanëve.

Vëllezër e motra! Zgjohuni nga gafleti, siç thotë Pejgamberi (a.s), një muaj ndaj të cilit njerëzit janë në gaflet, pra nuk ja dinë fort vlerën e tij. Zgjohuni nga gafleti dhe përgjigjuni thirrjes së Pejgamberit (a.s), përgjigjuni thirrjes së Allahut (xh.sh), sepse po na vjen Ramazani.

Ramazanin duhet me e prit në mënyrën ma të mirë të mundshme, duke i dëshmuar Allahut përkushtimin e zemrës, angazhimin për t’u paqtu me njëri-tjetrin, për të falë ata që na kanë hy në hak, për t’u toleruar brenda mundësive, për të bërë mirë sa kemi mundësi, për të shikuar tek të afërmit tanë, tek komshinjtë a kanë diçka nevojë për t’i ndihmuar me ju ba krah. Nëse kemi mundësi me ndihmuar dikë, nëse kemi mundësi për të zgjidh problemin a hallin e dikujt, mos me ngurru e me e ba, të dashurit e mi, sepse nuk e dimë, se cila vepër pranohet, me cilën vepër zbardhen fytyrat tona përpara duarve të Allahut, e përpara gjithësisë në ditën e madhe të mahsherit.

I lutemi Allahut (xh.sh) për hatrin e emrave Tij të madhnueshëm, për hatrine Esmaul Husna, për hatrin e Pejgamberit (a.s), për hatrin e Kur’anit Famëlartë, që këto momente që po na afrohen dhe ky muaj i madhërueshëm që po vjen dhe që i paraprin Mubarekut Ramazan, të jetë një mundësi e madhe nga Zoti i Gjithësisë për gjithsecilin prej nesh për t’u afruar e për t’u lartësuar, për t’u ndryshuar në jetë dhe për të rilidhë një besë të madhe me Zotin e Gjithësisë. Si për ti thënë: Lebejk Allahume Le bejk – Unë të përgjigjem ty o Zoti im, në këtë muaj të begat që po vjen të këtë Shaban Mubarek dhe në këtë Ramazan Mubarek dhe në çdo ditë dhe në çdo muaj e në çdo vit të jetës sime, të përgjigjem për të ardhur pas thirrjes Tënde, e për të jetuar me dritën Tënde e për të përhapë me sa të kem mundësi dashninë Tënde.

Allahu ju dashtë e ju begatoftë! Me zemër të mirë Shabanin Mubarek, e me zemër të mirë në çdo moment me të cilin ne afrohemi me Allahun (xh.sh).

Allahu e pranoftë adhurimin tuaj, lutjet tuaja, istigfarin tuaj, agjërimin tuaj, sadakanë tuaj, përpjekjen për të ndërtuar ura dhe për të përhapë të mirën gjithandej sa të jemi në këtë botë; ve El-hamdu-lilahi Rabil-Alemin.

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër