Mbrëmjen e së shtunës, më 8 maj 2021, me afrimin e kohës së jacisë, besimtarë të shumtë u drejtuan nga xhamitë e qytetit, për të marrë pjesë në lutjet dhe adhurimet e Natës së Kadrit, me shpresën e pranimit.
Nga xhamia e Parrucës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, iu drejtua besimtarëve me një mesazh, ku kërkoi që përkushtimi i krejt këtij muaji të begatë, të vazhdojë deri në momentin e fundit të tij.
Myftiu tha se në mbarë botën islame, besimtarët e mbështetur në hadithe e komentet e ndryshme, në veprën e sahabëve dhe transmetimet e tyre, i japin një rëndësi më të veçantë natës së 27-të të çdo Ramazani, me shpresën dhe lutjet që kjo të jetë Nata e Kadrit.
Myftiu kërkoi që të bëhen lutje dhe dhikre, edhe pas daljes nga xhamia, deri në agimin e diellit të ditës së re.
Së bashku me imamët e xhamisë së Parrucës dhe dy hafizët e ardhur nga Turqia, ai drejtoi namazet e kësaj nate, sikurse drejtoi lutjen e kësaj Nate, i shoqëruar nga amin-at e të rinjve të shumtë në xhami.