Vijon programi i aktiviteteve “Mësojmë dhe argëtohemi”
Ditën e enjte, më 24 qershor 2021, programi i aktiviteteve “Mësojmë dhe argëtohemi” vijoi me pjesëmarrjen e rreth 70 nxënësve të kurseve fetare/mejtepeve të xhamive të Shkodrës, Dragoç dhe Kullaj, nën kujdestarinë e mësuesve të përkushtuar, Shkëlqin Sykaj dhe Ardin Selhani.
Aktiviteti filloi me zhvillimin e një takimi dhe bisedë më nxënësit tek Qendra Kulturore Postribë, pranë xhamisë Dragoç, ku drejtuesi i arsimit, teologu Arben Halluni u foli mbi rëndësinë që ka mësim-besimi, roli i mejtepeve/kurseve fetare në edukimin e brezave me mësimet islame si dhe u prezantoi edhe programin e aktivitetit të sotëm.
Më pas, nxënësit vijuan me një vizitë kulturore në xhaminë historike dhe shekullore të Plumbit, ku përmes teologut Halluni dhe një prej nismëtarëve të rihapjes së xhamisë, z. Abdullah Myftia u njohën me historikun dhe vlerën e madhe që ka ky objekt kulti islam, si pionierja e parë për rilejimin më pas të besimit në vendin tonë.
Nxënësit, vizituan po ashtu edhe një vakëf të lashtë dhe gjurmët shekullore të xhamisë së Tabakëve, prej të cilave nxënësit mësuan historikun, kulturën dhe lashtësinë e kësaj zone dhe lagje të vjetër shkodrane, e mbushur plot dëshmi besimi, harmonie dhe dije.
Aktiviteti përfundoi me një shëtitje dhe piknik argëtues në zonën turistike të Shirokës.
Kujtojmë se, programi i aktiviteteve “Mësojmë dhe argëtohemi”, do të vijojë me të tjera xhami gjatë periudhës verore.