Ngushëllime dhe lutje për të nderuarin, H. Bledar Sulejmani

Paraditën e së mërkures, më 24 nëntor 2021, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar edhe nga një grup imamësh, ishte për ngushëllime në familjen e rahmetliut, H. Bledar Sulejmani, i cili ndërroi jetë në Francë, pas një lëngate të gjatë për shkak të një sëmundjeje të rëndë.

Gjatë ngushëllimeve, Myftiu dhe imamët shprehën mirënjohjen dhe vlerësimet për sakrificën dhe shembullin e imamit të nderuar, që u përkushtua që në moshë të vogël në rrugët e kërkimit të dijes në Damask të Sirisë, pastaj si imam e mësues fetar në xhami të ndryshme të Shkodrës, derisa sëmundja e papritur e ndaloi të vazhdonte misionin e tij.

Myftiu përsëriti udhëzimin e tij drejtuar krejt imamëve të Myftinisë Shkodër, që ditën e xhuma, më 26 nëntor 2021, në të gjitha xhamitë e Shkodrës, do të falet namazi i xhenazes në mosprani, për shpirt të imamit dhe teologut të nderuar, H. Bledar Sulejmani.