“Përshpirtje Ramazani”  – Aktivitet rreth atmosferës së Ramazanit 1444/2022

Ditën e shtunë, më 21 maj 2022, pas namazit të akshamit, Myftinia Shkodër zhvilloi në oborrin e xhamisë së Parrucës aktivitetin me temë: “Përshpirtje Ramazani”.

Fillimisht u bë falja e namazit të akshamit me xhemat në xhami nën drejtimin e H. Durim Kasemit. Aktivitetin e drejtoi teologu Arben Halluni, i cili solli në vëmendje shpirtin e mirësisë të muajit të Ramazanit, që këtë vit ishte më i veçantë, sesa dy vitet e kaluara, për shkak të lirimit nga masat shtrënguese nga pandemia e Covid-19.

Më pas fjalën e mori Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Zonës Shkodër, i cili ndër të tjera tha, se: “Edhe pse nuk ka kaluar shumë kohë nga muaji i Ramazanit, e rëndësishme është, që myslimani të mos ndahet asnjëherë nga thelbi, misioni dhe shpirti i muajit të Ramazanit. Gjithsesi, ky muaj në dëshmoi, nëpërmjet mirësive të pafund të Allahut të Madhëruar për ne, se ne jemi një familje e madhe e besimit dhe e vlerave; dhe se ky Islam është një taban i fortë që e mban gjallë këtë popull dhe këtë komb”.

Myftiu tha, se është për t’u theksuar puna dhe angazhimi i rinisë gjatë Ramazanit dhe se, e nisëm këtë muaj si Muaji i Familjes dhe e mbyllëm me Iftarin e Familjes, për të treguar mirësinë e madhe të këtij muaji të begati në raport me familjen, por edhe për mbarë shoqërinë.

Pastaj e mori fjalën H. Durim Kasemi, imam i xhamisë së Parrucës, i cili solli në vëmendjen frymën e mirësisë, të bashkëpunimit dhe të kënaqësisë, që patën iftaret e shtruara në oborrin e xhamisë së Parrucës, ku u shtruan 25 iftare me pjesëmarrjen e 2500 personave.

Ai theksoi se përtej iftareve, këtë Ramazan u shtruan edhe disa syfyre për besimtarët, të cilët vinin për të falë namazin e natës dhe namazin e sabahut me xhemat.

Myftinia Shkodër falënderon të gjithë personat, të cilët morën pjesë në organizimin e projektit të sofrës së iftareve, të shtruara kryesisht në oborrin e xhamisë së Parrucës, biznesmenët shkodranë, të cilët kontribuuan financiarisht për këto iftare, e veçanërisht grupin organizativ H. Durim Kasemi, z. Erion Llazani, H. Ervil Kuçi, etj dhe grupin e të rinjve, të cilët punuan me përkushtim për mbarëvajtjen e këtij projekti me vlerë dhe dobi.

Allahu i Madhëruar i shpërbleftë të gjithë me të mira.