Ditën e mërkurë, më 25 maj 2022, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt e vëllazëror, mikun e shtrenjtë Imam Didmar Faja, kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar të Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili ndodhet këto ditë për një vizitë në vendlindje.
Gjatë takimit, Myftiu Sytari e falënderoi të nderuarin Imam Didmar Faja për angazhimet dhe kontributet e mëdha në gjallërimin e jetës fetare në shtetin e Arizonës, por jo vetëm, ku jeton dhe vepron prej vitesh.
Myftiu theksoi se gjurmët e shqiptarëve gjithandej nëpër botë, po dëshmojnë rolin e tyre të madh në përhapjen e vlerave islame, shembullin e besimit dhe harmonisë, duke i kthyer ata në burim sigurie dhe garancie në rang botëror.
Nga ana e tij, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar të Arizonës e njohu Myftiun e Shkodrës me aktivitetet e larmishme dhe misionin fisnik të institucionit që ai drejton në Arizona, si dhe projektet e reja në dobi të rritjes së bashkëpunimit në mesin e muslimanëve atje.
Imam Didmar Faja, ka lindur në Shkodër dhe prej 20 vitesh jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.