Mbyllet cikli i pestë i ligjëratave për motrat

Mbyllet cikli i pestë i ligjëratave për motrat

Ditën e xhuma, pas iqindisë, më 17 mars 2023, u zhvillua aktiviteti përmbyllës i ciklit të pestë tremujor i ligjëratave javore “Adhurimi, një përjetim gjithëpërfshirës” në xhaminë Ebu Bekër, i mbajtur për motrat nga teologia Msc. Zamira Bushati – Puka.

Gjatë këtyre javëve u trajtuan shumë tema të ndryshme fetaro-psikologjike, ku një rëndësi të madhe iu dha dimensioneve shpirtërore, trupore, psikologjike dhe praktike të adhurimit, me qëllim që ta përjetojmë atë më tepër.

Gjithashtu u trajtuan tema për Isranë e Miraxhin, për rëndësinë e muajit Rexheb e Shaban, për namazin e për qëllimin e tij, dhe si të përgatitemi për të shijuar një Ramazan sa më të begatë.

Në këtë aktivitet kulturoro-fetar, i ndërthurur me ilahi e poezi, u mbajt ligjërata me temë: “Dimensione Ramazani”, nga teologia Zamira Bushati. Gjithashtu në mbyllje të tij u bë edhe duaja e Hatmes së Kur’anit.

Në fund u bë edhe shpërndarja e planifikuesit dhe kalendarit të Ramazanit.

Një falënderim i veçantë i takon organizatorëve, sidomos vajzave të reja, të cilat u bënë pjesë e këtij cikli.