Ceremoni festive në Myftininë e Pukës, në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të saj
Ditën e shtunë, më 18 mars 2023, në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Myftinisë së Pukës, si dhe njëherazi në prag ardhjes së muajit të Bekuar të Ramazanit, Myftinia Pukë, zhvilloi një simpozium në pallatin e kulturës së këtij qyteti.
Të pranishëm ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Myftiu i Pukës, Gëzim Kopani, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i Deleguari i Myftiut të Republikës së Kosovës, njëherazi edhe Kryetar i KBI-së Gjakovë, Valon Myrta, Kryetari i KBI-së Prizren, Besim Berisha, mysafirë nga qyteti i Tetovës si dhe besimtarë të shumtë.
Simpoziumi u çel me lexim Kur’ani nga imami Ramiz Mziu, për të vijuar me fjalën hapëse të Myftiut të Pukës, Gëzim Kopani.
Më tej, të pranishmit i përshëndeti Kryetari Spahiu, i cili pasi falënderoi organizatorët për këtë aktivitet, ndau me të pranishmit disa mesazhe të rëndësishme të këtij viti jubile të KMSH-së, për ta mbyllur me një urim kushtuar muajit të begatë të Ramazanit.
Ky simpozium vazhdoi më tej me referimin e Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed Sytari dhe Myftiut të Vorës, Baftjar Këllezi.
Në të njëjtën ditë, Myftinia Pukë, nën kujdesin e Myftiut Kopani, zhvilloi aktivitetin jubilar me titull: “100 Vjet Myftinia Pukë”
Kjo ceremoni u hap me këndimin e himnit kombëtar, për të vijuar me një dokumentar të përgatitur nga Myftinia Pukë me këtë rast.
Më pas, aktiviteti u përshëndet nga Myftiu i Pukës, i cili u shpreh se ky aktivitet jubilar zhvillohet në shenjë mirënjohjeje për kontributin që hoxhallarët e mëparshëm kanë dhënë për themelimin e Myftinisë Pukë, duke filluar nga Hafizi Xhemal Naipi, Zenel Hoxha, Sadik Prishtina, Qazim Nushi, etj, si dhe për të gjithë institucionet, fondacionet apo individët që kanë mbështetur dhe vijojnë ta mbështesin myftininë tonë.
Me këtë rast, Myftinia Pukë shpërndau disa certifikata mirënjohjeje për familjet e hoxhallarëve dhe fondacionet që kanë mbështetur Myftininë ndër vite.
Gjithashtu, Myftinia Pukë vlerësoi me certifikatë pas vdekjes, Hfz. Xhemal Naipin, certifikatë të cilën e tërhoqi nipi i tij, Arian Naipi, për të vijuar me vlerësimet ndaj: Myftinisë Shkodër, Ish-famullitarit të Kishës Katolike, Giovanni Fiocchi, KBI-së Prizren, KBI-së Gjakovë, Presidentit të Eurosig, Kadri Morina, familjes së hoxhës Sadik Luma, Medresesë H.Sh. Shamia “Shkodër”, kryetarit të shoqatës V.H.K Istanbul, Ridvan Seferaj, drejtorit të Fondacionit Mirësia, Korab Kaja, etj.