Aktivitet përkujtimor për imamin Hafiz Halim Hajdari

Paraditën e së shtunës, më 13 shkurt 2016, Myftinia Shkodër organizoi një aktivitet përkujtimor në nder të imamit Hafiz Halim Hajdari (1891-1965).

Aktiviteti, që u zhvillua në bibliotekën e qytetit, nisi me fjalën e hapjes, në të cilën thirrësi islam Lavdrim Hamja, bëri një vlerësim të imamëve dhe hoxhallarëve të shkuar të Shkodrës, të cilët punuan me shumë përkushtim në rrugën e mësimit të popullit dhe edukimin e tij me vlerat islame dhe ato kombëtare.

Imami i nderuar theksoi se hafizët e Kur’anit janë njerëz të përzgjedhur nga All-llahu dhe të dashuriut e tij. Ai vlerësoi kontributin e Hafiz Halim Hajdarit, si një imam dhe prijës islam, që punoi më shumë se një gjysëm shekulli në shërbim të Islamit dhe shoqërisë.

Në referatin e tij me temë: “Në kujtim të Hafiz Halim Hajdarit (1891-1965), në 125 vjetorin e lindjes…”, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, solli para të pranishëmve vlerësimet që kanë bërë studiues e hulumtues të ndryshëm për Hafiz Halim Hajdarin, duke theksuar se ai i përket zinxhirit të hoxhallarëve që kanë marrë ixhazete nga hoxhallarët e shquar të Shkodrës, si: Hafiz Halid Bushati dhe nxënësi i tij Hafiz Jusuf Këlmendi.

Më pas, hulumtuesi Smajl Bala, mbajti një referat me temë: “Jeta dhe vepra e Hafiz Halim Hajdarit në arkivat e kohës”, ku hodhi dritë mbi gjurmët e këtij imami të nderuar që ka shërbyer për shumë dekada në xhami të ndryshme të Shkodrës, si në: Rrjoll, Tophanë, Parrucë, Rus, Pazar, në xhaminë e Plumbit etj.