Myftiu i Shkodrës: “Fitër Bajrami, mundësi drejt përmirësimit të cilësisë së jetës!”

Myftiu i Shkodrës: “Fitër Bajrami, mundësi drejt përmirësimit të cilësisë së jetës!”

Ditën e xhuma, më 20 mars 2026, në ditën e parë të Fitër Bajramit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, dha një intervistë për Radio “Projekti 21” në Kopenhagën të Danimarkës, ku nëpërmjet mesazhit të tij iu drejtua radio dëgjuesve dhe përtej tyre, me një mesazh nëpërmjet të cilit uroi të gjithë besimtarët me rastin e kësaj feste të madhe për mbarë botën islame, sikurse vuri theksin tek rëndësia që ka shfrytëzimi i festave fetare si mundësi drejt përmirësimit të cilësisë së jetës.

Në bashkëbisedimin e tij me gazetarin Luigj Shkodrani, Myftiu i Shkodrës, ndër të tjera tha: “Shumë i dashtur z. Luigj, më lejoni që në radhë të parë t’ju përhajroj ju dhe krejt dëgjuesit e Radios “Projekti 21”, në Danimarkë me rastin e Fitër Bajramit me shpresën dhe lutjet më të mira, që të jetë një shenjë e bekimeve të Zotit të gjithësisë për të gjithë ne pa përjashtim. Patjetër që ditët festive në jetën e njeriut krijojnë një hapësirë dhe një atmosferë shumë të begatë. Është një ndryshim për të cilin njeriu ka nevojë dhe Zoti i gjithësisë e di këtë më së miri, prandaj na i sjell këto festa si shenjë e dashnisë së Tij për ne dhe njëkohësisht si dëshmi e një përkushtimi të madh, me të cilin jemi përgjigjur thirrjes së Tij në një moment prej momenteve të caktuara të jetës.

E kështu, edhe pas obligimit të agjërimit të muajit të Ramazanit, 30 ditë apo 29 ditë sipas kalendarit hënor, vjen festa e Fitër Bajramit, si një mirësi shumë e madhe nëpërmjet së cilës Zoti Fuqiplotë do të na tërheq drejt dashnisë së Tij, dhe njëkohësisht dritën dhe mirësinë e kësaj dashnie me e përhapur edhe në mesin tonë, duke uruar njëri-tjetrin, duke u përqafuar njëri-tjetrin, duke u pajtuar dhe paqtuar me njëri-tjetrin, e duke shpërndarë shpresë edhe dritën e besimit me çdo njeri, besimtar qoftë a jo, prej pjestarëve të shoqërisë, me të cilët ne jetojmë e bashkëjetojmë çdo ditë.

Për ne si shqiptarë, festat fetare janë edhe një moment fatlum për t’u parë edhe më shumë me njëri-tjetrin, për t’u takuar, për t’u afruar, për të rritë nivelin e bashkëpunimit, edhe të paqes sociale me njëri-tjetrin, qoftë muslimanët brenda bashkësisë së tyre, kudo qofshin e sa do qofshin, e qoftë muslimanë e të krishterë, e çfarëdo qofshin pjestarët e tjerë të shoqërisë tonë, që urojnë njëri-tjetrin me rastin e festave fetare, në këtë rast, me rastin e Fitër Bajramit, dhe duke marrë e duke ndarë me njëri-tjetrin gëzimin personal.

Edhe ne si muslimanë, në këtë ditë të bekuar, edhe në këtë atmosferë të mrekullueshme të Fitër Bajramit, patjetër që ndajmë gëzimin e besimit tonë, e gëzimin e zemrës sonë, me krejt pjestarët e shoqërisë sonë, duke ndarë si të thuash këtë tortë të madhe mirësinë e hyjnore me të gjithë pa përjashtim. Pra, është një nxitje për t’u bërë më nikoqirë, për t’u bërë më bujarë, për t’u bërë më zemërgjerë, mos me e mbajtur të mirën vetë për vete, por me ndarë edhe me të tjerët.

Dhe, sa bukur është kur në një shoqëri, ku ka diversitet, në një shoqëri ku ka, si të thuash ngjyra plot, me  u përhap e mira pa koprraci, e me u përhap e mira që kemi për vete edhe me tjetrin, si për t’i thënë ti nuk je i huaj në sytë e mi, e ti je pjesë e kësaj familjeje, je pjesë e kësaj shtëpie të madhe, e bashkërisht si njerëz të Zotit e krijesa të Tij, jemi të ftuar që të mirën e Zotit le ta ndajmë me njëri-tjetrin.”

Myftiu gjithashtu iu drejtua edhe besimtarëve muslimanë, por jo vetëm, në mërgatë, ku vuri theksin tek rëndësia e ruajtjes dhe dëshmimit të identitetit fetar si pjesë e natyrshmërisë së njeriut, si dhe si një mundësi më shumë për t’u përhapur humanizmi, mëshira dhe morali i besimit gjithandej nëpër botë.

Myftiu e mbyllin mesazhin e tij me urimin: “Më lejoni që njëkohësisht t’i drejtohem me një përshëndetje shumë të veçantë edhe një urim të përzemërt të gjithë pjestarëve të Bashkësisë Muslimane Shqiptare në Kopenhagën në Danimarkë, por në krejt vendet skandinave, një urim me të cilën uroj vëllezërit e mi, muslimanë e shqiptarë, atje e kudo qofshin, me shpresën edhe me lutjet që Allahu Fuqiplotë t’ia pranojë agjërimin e Ramazanit, veprat e mira gjatë këtij muaji, me të cilin sapo u ndamë, leximin e Kur’anit, kuptimin e tij, dëshmimin e vlerave të tij në jetën tonë të përditshme, përpjekjen për të përhapur dritën e fjalës së Zotit me të gjithë, në çdo pozicion ku Zoti na ka ftuar dhe na ka vendosur në jetën kalimtare të kësaj bote të përkohshme.

Njëkohësisht, lutem me zemër që drita edhe mirësitë, me të cilat u mësuam në Muajin e Begatë të Ramazanit, të vazhdojnë në mesin tonë, të përhapën në mesin tonë, e të jenë pjesë e natyrës sonë të përditshme. Pra, si të thuash, t’i fitojmë shprehitë e muajit Ramazan, për ta bërë jetën më të bukur.

Dhe, ashtu sikurse u them edhe vëllezërve të mi në Shkodër dhe në çdo vizitë e udhëtim timin, kudo në Perëndim, por jo vetëm, është shumë e rëndësishme që mësimet e fesë, edhe vlerat e besimit t’i dëshmojmë në mënyrë të natyrshme pa sforcim, edhe duke e shijuar fillimisht personalisht atë mirësi që marrim, e duke e ndarë me të tjerët, për të shijuar pastaj bekimet e Zotit në krejt shoqërinë tonë.

Ju falënderoj shumë për mundësinë që më dhatë për të komunikuar me ju dhe me vëllezërit e mi që na dëgjojnë, edhe shpresoj edhe lutem që të kemi përherë mbarësi dhe bekime në jetën tonë, e shqiptarët në veçanti të ecin përpara, të kenë bekime dhe mirës nga Zoti i gjithësisë, për të jetuar në paqe me njëri-tjetrin dhe me këdo, me të cilin ata jetojnë e bashkëpunojnë kudo qofshin.

Paçi bekimet e Zotit të gjithë pa përjashtim, e me zemër të mirë Fitër Bajramin!”