Myftiu: “Këshillat e Pajtimtarëve duhet të jenë vigjilentë në çdo xhami!”
Nëpërmjet dersit të xhumasë, që mbajti në xhaminë e Plumbit, më 3 prill 2026, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, hodhi dritë rreth kuptimeve të ajetit 10 të sures El-Huxhuratë, ku udhëzohemi: “S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë All-llahun, që të jeni të mëshiruar (nga Zoti).”
Myftiu theksoi se është detyrë e çdo muslimani, të mos gjurmojë në gabinet dhe të metat e tjetrit, por ta vendosë interesin e vëllazërisë së shenjtë islame, mbi çdo interes tjetër!
Ai nxiti njëkohësisht respektimin e prijësve fetarë, myftilerëve, hoxhallarëve, imamëve, hatibëve, vaizëve e muezinëve, ku tërhoqi vëmendjen e besimtarëve: “Njerëzit e dijes e të besimit, janë njerëz të nderuar e të respektuar. Mos i poshtëroni! Mos të bëhet lavdi në mesin tonë se kemi shkruar kundër hoxhës, kundër imamit e kundër Myftiut! Mos të mburremi me ‘like’ të shejtanit, se kemi hedhur baltë mbi institucionin tonë, mbi Myftiun tonë, mbi imamin tonë, mbi hatibin tonë e mbi muezinin tonë! Mos të bëhemi ne, të gjithë ne pa përjashtim, taborra të shejtanit, që duartroket sa herë që muslimanët janë në llogore kundër njëri-tjetrit! Edhe për çfarë xhanëm, për çfarë? Për banalitete!? Për të triumfuar nefsi i gjithsecilit!”
Myftiu Sytari përmendi edhe takimin me imamët e Myftinisë Shkodër, ku u vendos krijimi i Këshillit të Pajtimtarëve për çdo xhami në qytet e fshat!
“Në rast se ne evidentojmë se në mesin e xhematit tonë ka njerëz që nuk komunikojnë dhe nuk shkojnë me njëri-tjetrin, duhet me dosemos të ndërhyjmë, t’i ulim e t’i pajtojmë! Absolutisht! Mos t’i lëmë të dalin nga xhamia, veçse dorë për dore!”
Myftiu solli shembuj të shumtë nga trashëgimia e brezave të shkuar dhe këshillat e tyre për ruajtjen dhe forcimin e vëllazërisë së shenjtë islame.
Ligjëratën e plotë e ndiqni në linkun e mëposhtëm: