Në rahmet të All-llahut, Shejkh Shuajb Muharrem Arnauti

Mbrëmjen e së enjtes, më 27 tetor 2016, në kryeqytetin e Jordanisë, Amman, ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare dijetari i shquar islam me prejardhje shqiptare, nga qyteti i Shkodrës, Hirësia e Tij, Shejkh Shuajb Arnauti.

Enciklopedisti i shquar islam, Shuajb Arnauti, lindi në vitin 1928 në Damask të Sirisë, një vit pasi i ati, Muharremi, emigroi drejt Damaskut, bashkë me familjen e tij.

Mësimet e para i mori nga familja, e më pas para duarve të Hafiz Sulejman Gavoçit.

Hoxha Shuajb Arnauti njihet si verifikuesi më i madh dhe më i shquar i trashëgimisë islame në botën islame.

Veprat e punuara prej tij arrijnë në qindra vëllime, sidomos në shklencat e Hadithit dhe trashëgimisë islame shekullore, fakt që e bën atë, njërin ndër personalitetet më të shquara të shekullit.

Për herë të fundit, ai e vizitoi Shkodrën në korrik të viti 2011, ku iu akordua edhe titulli "Qytetar Nderi" i Shkodrës.

Ndër porositë e tij drejtuar popullit shqiptar, është edhe mesazhi publik, ku ai i drejtohet shqiptarëve me këto fjalë: “Pavarësisht kohërave të errëta që kaloi vendi, duhet që sot, të zgjoheni dhe të ruani amanetin e të parëve tuaj! Qëndroni, mos e leni kte fé! Rune besën e t’parve tuj!”

Me udhëzim të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, ditën e sotme, në të gjitha xhamitë e Shkodrës u fal namazi i xhenazes në mungesë, për shpirtin e tij.