Imami i xhamisë “Ebu Bekër”, H. Idmir Plaku, “Mirënjohje” nga KMSh!
Paraditën e së mërkurës, më 22 prill 2026, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizoi një ceremoni nderimi për imamë të spikatur në aktivitetin e tyre në 35 vitet e fundit të organizimit të institucionit më të lartë të muslimanëve në vendin tonë.
Sipas lajmërimit në faqen zyrtare të KMSh-së, mësojmë se: “Komuniteti Mysliman i Shqipërisë zhvilloi sot në ambientet e Tirana International Hotel një aktivitet promovues me rastin e botimit më të ri të institucionit, me titull “Zëri që vjen nga minberi”. Ky botim vjen si një databazë e imamëve që kanë shërbyer nga rihapja e besimit në vendin tonë në vitet ’90 e deri në dhjetor të vitit 2025.
Në këtë aktivitet morën pjesë figura të rëndësishme të institucionit, mes tyre Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm, z. Islam Hoxha, nënkryetarët, anëtarë të kryesisë, myftinj, imamë si dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme.”
Pjesë e këtij nderimi për një grup imamësh të përzgjedhur nga mbarë Myftinitë e vendit tonë ishte edhe imami i nderuar i xhamisë “Ebu Bekër” teologu, H. Idmir Plaku.
Në fjalën e tij përpara të pranishmëve, imami i nderuar shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e tij për kontributin e madh të imamëve në përgjithësi dhe theksoi se misioni i shenjtë që ata mbartin mbi supe është një amanet që trashëgohet ndër breza dhe që nderon gjithsecilin prej imamëve kudo qofshin ata.
Në përmbyllje të aktivitetit, u shpërndanë certifikata vlerësimi për disa imamë dhe hoxhallarë nga e gjithë Shqipëria, të propozuar nga myftinitë përkatëse, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të çmuar në shërbim të fesë dhe komunitetit.
Lajmi i plotë i aktivitetit:
https://www.facebook.com/share/p/1Kuo6Z3zYr/?mibextid=wwXIfr





