Mevludi Sherifë, takim pune me një grup imamësh

Pasditën e së mërkurës, më 7 dhjetor 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me një grup imamësh, këshilltarësh dhe drejtues të Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, për të diskutuar projekt-idenë e aktiviteteve zinxhir me rastin e përkujtimit të Mevludit Sherifë të këtij viti.

Myftiu theksoi se muaji hënor Rebiulevvel i çdo viti, duhet të shërbejë përherë e më shumë si një mundësi për shtimin e aktiviteteve të larmishme, nëpërmjet të cilave na mundësohet të nxjerrim në pah, përherë e më shumë, madhështinë e shfaqjes së Hz. Muhammedit (a.s) në këtë botë, si “mëshirë e dhuruar” dhe si garanci hyjnore për realizimin e paqes, mirëqenies dhe elitarizmit në jetën e njerëzimit mbarë.

Myftiu prezantoi projekt-idenë e zhvillimit të një zinxhiri të gjatë aktivitetesh në këtë drejtim, në bashkëpunim edhe me Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”, shoqatat e ndryshme islame, institucionet partnere etj.

Të pranishmit dhanë mendimet e tyre konstruktive dhe ndanë së bashku ide të vlefshme për perfeksionimin e aktiviteteve të këtij muaji.