Në mëshirë të Allahut, H. Hiqmet Bekteshi!
“Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!”
Myftinia Shkodër shpreh ngushëllimet e saj me rastin e ndërrimit jetë të mësuesit dhe drejtorit të Medresesë “Haxhi Sheh Shamia” (1999 – 2005), z. Hiqmet Bekteshi, i cili ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare.
Me këtë rast Myftinia Shkodër shpreh ngushëllimet e saj për familjen Bekteshi, rrethin e gjerë të besimtarëve dhe lutet, që Allahu i Madhëruar ta mëshirojë, ta pranojë veprën e tij dhe ta bashkojë me njerëzit e mirë në xhenetet e Tij në jetën e përtejme.
Lajmërojmë, se xhenazja e tij do të falet ditën e sotme, e enjte, më 9 prill 2026, ora: 17.00, tek shtëpia, rrugica përballë shkollës “Ismail Qemali”, Çinari Hoxhdheut.
Jetëshkrim:
HIQMET BEKTESHI – (1937 – 2026)
U lind më 22.06.1937 në qytetin e Shkodrës.
Drejtor i Përgjithshëm i medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, Shkodër në vitet 1999-2005.
Në vitet 1971-1973 ndoqi studimet në degën “Matematikë-Fizikë”, në Institutin e lartë Pedagogjik të Shkodrës, duke u diplomuar si “Mësues i matematikës dhe i fizikës”, në vitin 1974.
Ka punuar si mësues dhe drejtues shkollash 8-vjeçare dhe të mesme. Për një periudhë 5-vjeçare ka qenë anëtar i jashtëm i Katedrës së Matematikës dhe Fizikës në Universitetin e Shkodrës. Në vitet 1974-1979 ka qenë metodist i matematikës dhe fizikës të rrethit të Shkodrës. Është ndër nismëtarët e Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, ku ka drejtuar konsultat me intelektualë për fizionominë e ardhme të medresesë, duke marrë pjesë edhe në grupin organizator për të gjitha masat e tjera deri në hapjen e Medresesë. Ka punuar si mësues i jashtëm për lëndët Astronomi, Fizikë, në vitet 1991-1995, pastaj mësues efektiv, në vitet 1996-1999 nëndrejtor dhe më 1 shtator 1999 drejtor i Medresesë.
Është vlerësuar dhe dekoruar:
– Me titullin “Mësues i dalluar”, nga Ministria e Arsimit, në vitin 1967.
– Me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit III-të, të klasit të II-të dhe në vitin 1993 me Urdhrin e Lartë “Naim Frashëri” i klasit të parë.
-Titulli “Mirënjohja e qytetit”, nga Këshilli Bashkiak, Shkodër, në vitin 2011.