“Familja dhe edukata fetare”, tribunë në xhaminë e Dudasit

Ditën e mërkurë, më 21 dhjetor 2016, Myftinia Shkodër organizoi në xhaminë e Dudasit një tribunë fetare mbi vlerat e familjes dhe edukimit fetar të brezit të ri.

Aktivitetin e përshëndeti Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili vlerësoi këtë cikël aktivitetesh si shumë të dobishëm për besimtarët e lagjeve muslimane të Shkodrës.

Ndërkohë, teologu Adrian Uraj dhe teologu Arben Halluni, ligjëruan mbi rëndësinë dhe vlerën e familjes, respektin ndaj prindërve, dobitë e edukimit të fëmijëve me vlerat e besimit dhe përkujdesjen që duhet treguar në ndërtimin e shembujve edukativë për ta.

U theksua nxitja që i bën Islami ndërtimit të personalitetit të muslimanit model në qenien e fëmijës, duke nisur me vlerësimin dhe respektimin e dy prindëve, familjes, adhurimit etj.

Aktivitetet në kujtim të Lindjes së Hz. Muhammedit (a.s) vazhdojnë të mbledhin besimtarë rreth këtyre tubimeve të begata.