Në kuadër të aktiviteteve 14 ditore kushtuar përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s) dhe mesazheve universale që përçon kjo ngjarje në rrafsh global, ditën e enjte, më 22 dhjetor 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar edhe nga një grup imamësh dhe këshilltarësh të Myftinisë Shkodër, zhvilloi një vizitë në kopështin “Aromë trëndafili”, pranë xhamisë së lagjes Perash.
Me rastin e kësaj vizite, Myftiu uroi fillimisht stafin e kësaj vatre edukimi me vlerat më të mira islame dhe kombëtare, për përkuhstimin e madh në drejtim të edukimit dhe përkujdesjes për formimin sa më të shëndoshë të fëmijëve frekuentues të kësaj qendre edukimi.
Myftiu ndau me fëmijët e pranishëm, lutjet e tij, sikurse dëgjoi recitimet e bukura të himnit të flamurit kombëtar, vjershave kushtuar gjuhës shqipe, dashurisë për atdheun etj.
Një pjesë e këtij takimi të përzemërt me fëmijët, ishte edhe dëgjimi i sureve të ndryshme të Kur’anit, si dhe shkronjat e tij, të cilat mësohem me përkushtim në këtë kopësht.
Me rastin e kësaj vizite, Myftiu ndau disa dhurata simbolike për fëmijët dhe u lut për mbarësinë e këtij aktiviteti me vlerë besimore, edukative dhe atdhetare.