Fjala e Myftiut në konferencën ndërfetare: “Familja, rinia dhe sfidat e modernitetit”

Të nderuar përfaqësues të lartë të komuniteteve fetare në Shkodër, Të nderuar autoritete lokale dhe vendore, Të nderuar imamë, klerikë, thirrës islamë e shërbestarë në rrugën e besimit, Të nderuar të pranishëm në këtë organizim vlerash, Është kënaqësi e madhe të përshëndes këtë konferencë, që ne komunitetet fetare të Shkodrës, ndërmorëm së bashku, në rrugën e bashkëpunimeve të dobishme, që ndezin një dritë shprese më shumë dhe një udhëzim besimi për rininë dhe familjen, në realitetet e sotme shqiptare. Sot, më shumë se kurrë, është detyra e përfaqësuesve të fesë në këtë vend, që të bashkojmë duart dhe të drejtojmë kontributet tona, në rrugën e përkujdesjes prindërore ndaj brezit të ri dhe udhëzimeve të urta në rrugëtimet e tyre në një jetë të turbulluar nga sprova e modernitetit, shpesh të paekuilibruar. Është e udhës, që komunitetet fetare të jenë më aktive në jetën e përditshme, duke kontribuar me urtësi dhe largpamësi, për ruajtjen e rinisë dhe mbrojtjen e familjes nga sprova të shumta të kësaj kohe, që si hije të fshehura, përpiqen të prishin jetën dhe të shuajnë shpresën e udhëzimit. Po bëhet përherë e më e domosdoshme që të shtohet bashkëpunimi ynë për të qëndruar të bashkuar përballë sfidave, me të cilat rinia e jonë dhe familja në tërësinë e saj, po përballet ditë pas dite, me faktorë të prishjes së harmonisë dhe dhunimit të saj, si: ateizmi i fshehur në neglizhencën ndaj fesë, mungesa e lëndës së edukatës fetare në shkollat e vendit tonë, laicizmi ekstrem dhe ai selektiv, që nxisin përherë e më shumë tendenca të urrejtjes fetare, injoranca, si shërbëtori më besnik i së keqes, krejt të keqes në shoqëri, devijimet nga natyra, me të cilën Zoti e ka krijuar njeriun dhe reklamimi i tyre me të madhe, si vlerë, liria e paekuilibruar dhe e papeshuar e fjalës, mendimit dhe shprehjes, që kohët e fundit po bëhet objekt i rritjes së islamofobisë dhe nxitjes së shkeljes së të drejtave të besimtarëve në vendin tonë dhe përtej tij, mosvlerësimi i diversitetit fetar, kulturor e intelektual, si një alternativë më shumë për t’u thelluar në rrugët e bashkëpunimit, jo një mallkim shtesë në jetë, mosrespektimi i shenjtërive të tjetrit, që nxit ekstremizëm në emër të fesë, tendenca prishëse të harmonisë dhe bashkëpunimit qytetar etj. Takime, si ky i sotmi, duhen përshëndetur dhe mbështetur edhe nga institucionet e ndryshme, me të cilat bashkohemi në rrugëtimin e tonë të përbashkët drejt edukimit, dijes, moralit e besimit solid, që frymëzon një rini të pjekur dhe dhuron një familje të shëndoshë e të ekuilibruar, e denjë për t’u përballur me çdo sfidë e çdo sprovë në jetë. Falë Zotit, Fjala e Tij, e zbritur në Librat e shenjtë, mesazhet e profetëve tanë të nderuar dhe urtësia e dijetarëve të palëkundur, që kemi në duar si një amanet hyjnor, janë një garanci më shumë për të ecur përpara me krenari legjitime dhe me zemër të hapur karshi kujtdo, që ka një nijet të mirë si ne, në rrugën e edukimit dhe mbrojtjes! Zoti e begatoftë rininë e Shkodrës dhe familjet e nderuara shkodrane, që me besimin e tyre në Një Zot, me dorëzimin e tyre në Kur’an dhe Inxhil, kanë ditur ndër shekuj të përballen me dinjitet me sprovat e kohës, duke ruajtur mbi të gjitha paqen sociale dhe harmoninë e shenjtë të familjes tonë të madhe të përbashkët, që quhet SHKODËR! Zoti ju bekoftë dhe ju dashtë!

Imam Muhamed Sytari Myfti i Zonës Shkodër (Fjala përshëndetëse në konferencën e përbashkët të tre komuniteteve fetare të Shkodrës, me temë: “Familja, rinia dhe sprova e diversitetit”)   Shkodër, më 13 maj 2015

Fjala e Myftiut në konferencën ndërfetare: “Familja, rinia dhe sfidat e modernitetit”