Myftiu dha udhëzimet e tij në prag të Ramazanit 1438

Pasditën e së martës, më 23 maj 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari zhvilloi një takim pune me një grup imamësh të qytetit dhe fshatit, ku u diskutua rreth përgatitjeve të fundit për muajin Ramazan.

Gjatë takimit, u vu theksi te domosdoshmëria e ruajtjes dhe forcimit të vlerave të vëllazërisë islame dhe harmonisë në mesin e besimtarëve.

U përmenden disa nga aktivitetet dhe veprimtaritë që do të zhvillohen, iftaret e përbashkëta me krejt xhematet e xhamive, Hatmeja e Kur’anit, çdo ditë pas namazit të iqindisë në xhaminë e Parrucës, tribunat, takimet, emisionet televizive, fushatat bamirëse etj.

Myftiu konsideroi si të domosdoshme, që njëra prej hytbeve të Ramazanit të sivjetshëm t’i kushtohet zekatit, që për këtë vit nxirret nga vlera e 85 gr. ar, ose 470.000 (lek të reja), të depozituara për një vit hënor, jashtë nevojave të konsumit të përditshëm dhe atyre bazike.

Myftiu tha se përtej faktit se ka besimtarë që vazhdojnë të nxjerrin zekatin, porse është e domosdoshme që të bëhet thirrje masive për respektimin e këtij adhurimi, që Shkodra e ka pasur traditë shekullore.

U kujtua gjithashtu se vlera e fidjes ditore për personat e sëmurë rëndë dhe me pamundësi agjërimi është 200 (lek të reja), si dhe sadekatul-fitri 200 (lek të reja) për person.