Të dashur dhe të nderuar vëllezër dhe motra, besimtarë muslimanë, bashkëqytetarë,
Nëpërmjet këtij mesazhi dua t’ju përhajroj me zemër, në prag të Muajit të Madhërishëm të Ramazanit 1438/2017, duke u lutur me shpirt që Zoti i gjithësisë t’jua lehtësojë agjërimin e tij, sakrificat dhe përkushtimin për t’u lartësuar drejt shkallëve më të spikatura të devotshmërisë në jetë!
Ky Muaj vjen si një mundësi ndryshimi dhe përmirësimi për jetën e gjithsecilit prej nesh, nëpërmjet kthimit të sinqertë e me zemër nga dyert e pendimit, adhurimit, bamirësisë, rregullimit të marrëdhënieve familjare dhe atyre farefisnore, kthimit nga Kur’ani për ta lexuar atë me meditim dhe përshpirtje, me qëllim angazhimin për t’u veshur me moralin e ajeteve të tij, në rrugëtimet e përsosjes së takvasë në jetën tonë.
Ramazani është Muaji i takimeve dhe i afrimeve, i shtimit të adhurimeve dhe i kontrollimit të nefsit, me qëllim mbylljen e shumë prej faqeve të hutimit dhe gabimeve të shkuara, si dhe hapjen e faqeve të reja të përkushtimit ndaj besës së Zotit dhe ndërtimit të urave të reja të harmonisë dhe besimit në shoqëri!
Ramazani ka në thelb të tij elementë të shumtë hyjnorë, si: mëshira, falja, toleranca, harmonia, distancimi nga e keqja, dhuna, terrori, ekstremizmi e fanatizmi i verbër e vrastar, që prish çdo ekuilibër dhe shkatërron çdo urë lidhjeje me tjetrin në jetë! Fjalëkalimi i këtij Muaji: “Unë jam agjërueshëm!”, personifikon modelin e individit dhe shoqërisë së përgjegjshme për veprat, sjelljet, fjalët, si dhe dëshirën e mirë të ndërtimit të urave, distancimit nga çdo mendim e veprim që e dëmton tjetrin!
Ju ftoj me zemër që ta jetojmë këtë Muaj të paqtimit dhe rritjes së harmonisë së besimit, si dhe të trupëzojmë në marrëdhëniet tona krejt elementët e tij hyjnor, që na shërbejnë për t’i dhënë më dinjitet e ndriçim, më bukuri e vlerë jetës sonë, marrëdhënieve tona shoqërore, vetë vlerave tona kombëtare!
Me zemër të mirë Ramazanin, ju të dashurit e mi, Shkodrës së dashur, Shqipërisë së shtrenjtë, mbarë ymmetit islam!
Paqja dhe bekimet e All-llahut Mëshirëplotë mbulofshin me pelerinën e Paqes mbarë botën tonë, krejt njerëzimin! Amin!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 25 maj 2017