Kurban Bajrami mbledh mijëra besimtarë në sheshin e Fushë Çelës

Kurban Bajrami mbledh mijëra besimtarë në sheshin e Fushë Çelës

Kurban Bajrami mbledh mijëra besimtarë në sheshin e Fushë Çelës

Ditën e mërkurë, më 27 maj 2026 që në mëngjes herët,  besimtarët muslimanë shkodranë u mblodhën bri xhamisë “Ebu Bekër”, në sheshin e vakëfit të shenjtë të Fushë Çelës, për të falur namazin e Kurban Bajramit, i cili tashmë është bërë traditë të falet në shesh.

Në këtë ditë të gëzuar feste, Myftinia Shkodër organizon ceremoninë e faljes së Kurban Bajramti me ligjërata të larmishme, ku besimtarët e pranishëm, të cilët kanë mbushur sheshin plot, pasi falin së bashku namazin e sabahut, dëgjojnë imamët dhe teologët e Shkodrës.

Ceremonia e festës së Kurban Bajramit filloi me faljen e namazit të sabahut, i cili u drejtua H. Durim Kasemi, imam i xhamisë së Parrucës dhe pastaj teologu Arben Halluni prezantoi programin e kësaj ceremonie, që vazhdoi me ligjëratat e mbajtura nga imamët e nderuar: H. Durim Kasemi – “Dita e Kurban Bajramit dhe kriza në marrëdhëniet e njerëzve”, H. Ensar Ismalaj – “Hz. Ismaili, fëmija model dhe edukimi në peshoren e besimit”, H. Idmir Plaku – “Haxhi, shtyllë e fesë, bashkim për ymetin” dhe H. Lavdrim Hamja – “Simbolika e gjuajtjes së guralecëve dhe shoqëria në prag gremine”.

Përmes ligjëratave të tyre, imamët dhe teologët e nderuar përçuan mesazhe dhe këshilla me vlerë rreth Islami dhe mësimeve të tij.

Pastaj fjalën e mori Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili iu drejtua të pranishmëve me një mesazh, ku u përqendrua tek disa prej plagëve të shoqërisë shqiptare dhe asaj botërore, duke vënë theksin tek domosdoshmëria e kthimit të njeriut nga harta e udhëzimit hyjnore.

Myftiu theksoi se, njeriu i kësaj kohe e ka humbur busullën e orientimit dhe po shohim se sa më shumë largohet nga besimi dhe udhëzimi hyjnor, aq më i egër dhe primitiv bëhet ai dhe jeta e tij mbi faqen e dheut.

Myftiu nuk la pa përmendur edhe një plagë të madhe sociale të vendit tonë, që është largimi masiv i të rinjve dhe elitave të këtij vendi jashtë Shqipërisë, për çka ai solli në vëmendje fjalën e madhe të dijetarit të shquar shkodranë me famë botërore, Hirësisë së tij, Shejkh Vehbi S. Gavoçi (rahmet pastë), i cili porosiste: “Shqiptarët kanë ndërtuar botën mor djalë, por tashmë duhet që ata të kthehen dhe të rindërtojnë vendin e tyre!”

Myftiu ndër të tjera theksoi edhe: “Edhe se ne nuk duam që fëmijët tanë të rriten sipas metodave dhe udhëzimit të femohuesve dhe të atyre që nuk e njohin Zotin dhe nuk e llogarisin atë në përditshmërinë e tyre!”

Gjithashtu, në fjalën e tij, Myftiu i Shkodrës vuri theksin edhe tek ajo që konsiderohet si një ndër aktet më të shëmtuara të grabitjes flagrante të vakëfit, pronës së shenjtë të muslimanëve shkodranë në zemër të qyteti, ku po ndërtohet një projekt i ri mbi tokën e vakëfit shekullor të Fushë Çelës.

Myftiu tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve edhe për rëndësinë që ka dëshmimi i Islamit në përditshmërinë tonë, duke u fokusuar tek praktika e përditshme e mesazhit hyjnor larg fjalëve, pretendimeve dhe diskurseve të panevojshme, që nuk sjellin asnjë dobi në përditshmërinë tonë.

Myftiu u lut për bekime dhe mbarësi për qytetin e Shkodrës, për banorët e saj, për mbarë popullin shqiptar dhe ymetin islam në veçanti.

Pas përfundimit të fjalës së Myftiut u zhvillua edhe falja e namazit të Kurban Bajramit, të cilin e drejtoi Imam Muhamed B. Sytari dhe më pas ceremonia përfundoi me hytben e Kurban Bajramit të mbajtur nga H. Naim Drijaj, i cili dha disa mesazhe me vlerë që lidhen me kuptimet e Haxhit dhe rëndësinë e kësaj shtylle të Islami në jetën e besimtarëve.