Konkurs për Kur’anin Famëlartë në muajin e Ramazanit

Myftinia Shkodër dhe Shoqata “Mirësia” në kuadër në muajit të madhëruar të Ramazanit zhvilluan në xhaminë e fshatit Mjedë, për të dytin vit radhazi aktivitetin e konkursit të Kur’anit Famëlartë me pjesëmarrjen  e 10-të xhamive  të përzgjedhura të Shkodrës, xhamia Mjedë, Bahçallek, “Dy Vajzat”, Golem, Kullaj, Dragoç, Fshati i Ri, Muriqan, Bardhaj dhe Vukatanë.

Drejtuesi i arsimit, pranë Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni në fjalën e tij të hapjes së kësaj veprimtarie arsimore falënderoi pjesëmarrjen e nxënësve konkurrues në këtë aktivitet me vlerë për këtë muaj të begatë, si muaj i fillimit të zbritjes së Kur’anit Fisnik, Libër që inspiron për udhëzim në vlerat e vërteta të besimit, të moralit, të frymëzimit për vëllazërim e unitet në mes të gjithë besimtarëve, si dhe për paqe e harmoni me të gjithë njerëzit dhe krijesat e Zotit (xh.sh).

Gjithashtu teologu Halluni falënderoi edhe shoqatën “Mirësia” për bashkëpunimet e saja të frytshme me institucionin e Myftinisë Shkodër, të cilat zhvillojnë akoma e më shumë efikasitetin e misioneve të përbashkëta në shërbim të përhapjes së vlerave të mira dhe të dobishme për besimtarët.

Pas zhvillimit të konkursit, juria në ceremoninë mbylljes së konkursit shpalli fituesit, që u paraqiten më të mirët në memorizimin dhe texhvidin e  Kur’anit Famëlartë.

Xhamitë e para u shpallën: Fshati i Ri, Golem dhe Bahçallek.