Myftiu: “Shfrytëzoni stinën e verës për t’u rritur në dije!”
Ditën e xhuma, më 12 qershor 2026, në vazhdën e ciklit të ligjëratave: “Sahabët e mi janë si yjet”, Myftiu i Shkodrës u ndal në Qendrën Kulturore të xhamisë së fshatit Barbullush, Bashkia Vau Dejës, ku mbajti një ligjëratë me vlerë para të pranishmëve.
Në krye të herës, Myftiu shprehu falënderimet e tij për imamin e xhamisë, H. Ervis Molla dhe kontributin e tij për gjallërimin e jetës fetare, kulturore dhe sociale nëpërmjet aktiviteteve të larmishme që zhvillohen në xhaminë dhe Qendrën Kulturore në Barbullush.
Në ligjëratën e radhës, Myftiu i ndal tek disa pasazhe nga jeta dhe personaliteti i Hz. Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me të). Ai vuri në dukje disa prej cilësive dhe veçorive të larta të këtij burri të madh për të cilin i Dërguari i Allahut (a.s) dha sihariq se do të jetë prej banorëve të xhenetit.
Myftiu teksa foli për pozitën e lartë të Hz. Omerit në dije, tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve, rinisë në veçanti që në prag të sezonit të ri veror ta shfrytëzojnë kohën e tyre për t’u thelluar në dije, për të mësuar një gjuhë të huaj më shumë, për të kryer në kurs, a për të pasur një marrëdhënie të shëndetshme me librin.
Myftiu kërkoi prej të rinjve që të përgatisin një program të posaçëm, në krye të cilit të jetë lista e librave që do të lexohen prej tyre gjatë këtij sezoni veror.
Myftiu u ndal njëkohësisht edhe tek kuraroja dhe besimi i fortë i Hz. Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me të), ku vuri në duket të pranishmëve se përballë sfidave të shumta, me të cilat përballet bashkësia muslimanë në vendin tonë dhe në mbarë botën, askush dhe asgjë nuk duhet ta pengojë muslimanin sot për ta dëshmuar haptas identitetin e tij si musliman, me cilësitë dhe veçoritë që e karakterizojnë atë duke bërë të shndrisë në realitetet e shoqërive njerëzore si dielli në kupën e qiellit.
Aktiviteti vijoi me një bashkëbisedim të ngrohtë në mes Myftiut dhe të pranishmëve dhe u mbyll me lutjet dhe bekimet e ndërsjellta.
Cikli i ligjëratave: “Sahabët e mi janë si yjet” vijon sipas programit të afishuar më herë nga Myftinia Shkodër, ku ligjërata e radhës do të mbahet me mbarësinë dhe bekimet e Allahut, ditën e xhuma, më 19 qershor 2026, në Qendrën Kulturore të xhamisë Krye-Bushat.









