Mbrëmjen e së hënës, më 19 qershor 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ishte i ftuar në një bashkëbisedim televiziv në emisionin ‘Autochthonous’ në Tv Rozafa.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarin Simon Shkreli, Myftiu foli mbi atmosferën e Muajit Ramazan, mesazhet dhe vlerat reale që përcjell ky muaj në jetën e shqiptarëve.
Myftiu tha se shqiptarët nuk u befasuan me agjërimin e Ramazanit, qëkur e përqafuan Islamin për herë të parë, pasi tradita e agjërimit është e lidhur me njeriun që në lashtësi.
I pyetur mbi aktualitetin e përkimit të fushatës elektorale me muajin Ramazan si dhe ditës së votimit me ditën e Fitër Bajramit, Myftiu përsëriti qëndrimin e tij, që para fillimit të Ramazanit, duke konfirmuar se nuk ka ndryshuar qëndrim mbi këtë çështje.
Myftiu theksoi se mosrespektimi i Ramazanit dhe i festës së Fitër Bajramit është një akt i turpshëm i politikës së sotme shqiptare, si dhe një hap më tej në rrugëtimet e gabuara të vendit drejt afetarizmit dhe mosrespektimit të Fesë, aq më tepër kur bëhet fjalë për fenë e pjesës dominuese të kombit.
Gjithashtu, theskoi se ka ndaluar imamët të përfshihen në vorbullën e kësaj fushate, duke e konsideruar përfshirjen në të, në çfarëdo forme, sidomos në iftaret vulgare të fushatës, si mungesë integriteti dhe dinjiteti personal.
Myftiu tha se Islami nuk e refuzon politikën, përkundrazi nxit individin musliman që ka prirje politikën dhe shkencat e saj, të jetë njeri i ndershëm, që i frikësohet Zotit, që punon me moral dhe pastërti për kombin dhe vendin e vet, duke përkthyer në politikë moralin e fesë, larg instrumentalizimit të fesë për politikë.
Myftiu tha se Shqipëria është një vend me resurse të shumta, me të cilat e ka bekuar Zoti, por që gjendet në një mjerim të frikshëm, falë keqadministrimit të saj dhe pasurive që ka.
Ai foli edhe për vlerat e Natës së Kadrit, ku ftoi qytetarët që mos ta konsiderojnë këtë Natë si një prag folklorik në marrëdhënien e tyre me Islamin, por të meditojnë thellë rreth shpalljes së Kur’anit në këtë Natë.
Myftiu theksoi se Kur’ani ngelet një alternativë e çmueshme e shpëtimit të njeriut dhe njerëzimit nga katrahurat ku janë katandisur sot, si dhe një mundësi përqafimi i dritës së udhëzimit hyjnor në jetë.
Myftiu ftoi besimtarët dhe qytetarët e Shkodrës që të përkushtohen maksimalisht në ditët dhe netët e mbetura të Ramazanit të sivjetshëm dhe të festojnë me shumë krenari e dinjitet Fitër Bajramin, duke mos lejuar njeri në botë të prishë këtë atmosferë bekimesh!
Ai ftoi besimtarët që të bashkohen në sheshin e Namazgjasë, më 25 qershor 2017, për të marrë pjesë në ceremoninë e Fitër Bajramit, ashtu siç është bërë traditë prej vitesh.