Nisi cikli i ri i ligjëratave të Myftiut: “Sahabët e mi janë si yjet!”
Pasditen e së xhumasë, më 5 qershor 2026, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari nisi një cikël të ri ligjëratash në Qendrat Kulturore Islame të Shkodrës, ku u ndal fillimisht në Qendrën Kulturore të xhamisë Oblikë, Njësia Administrative Ana e Malit.
Në ligjëratën e tij përpara të pranishmëve Myftiu hodhi dritë rreth personalitetit të shquar të sahabiut të dashur, Hz. Ebu Bekrit (r.a).
Nëpërmjet argumentimeve të ndryshme dhe qasjeve të tij, Myftiu tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve rreth domosdoshmërisë së leximit të ngjarjeve të shumta të historisë sonë islame duke përfituar nga shembulli i këtyre personazheve që janë një frymëzim më shumë për gjithsecilin prej nesh në realitetet e përditshme.
Ai solli në vëmendje të pjesëmarrësve në këtë ligjëratë hadithin e Pejgamberit (a.s) që vë në dukej pozitën e lartë të Hz. Ebu Bekrit (r.a): “Njeriu më bujar dhe vetëmohues në shoqërinë time është Ebu Bekri”, ku iu drejtua të pranishmëve me disa pyetje, si a e ke pyetur veten se sa bujar je në marrëdhënie me çështjet e fesë tënde? Ose, sa vetëmohues e sheh vetën tënde në raport me obligimin e Thirrjes Islame, ose sa përpiqemi sot, të jemi në shembullin e Hz. Ebu Bekrit (r.a) në besimin tonë dhe në dëshmimin e fetarizmit të shëndoshë në përditshmërinë tonë ?
Aktiviteti vijoi me pyetjet e ndryshme nga të pranishmit si dhe me urimet dhe lutjet për mbarësinë e aktivitetit të kësaj Qendre dhe angazhimin e Myftinisë Shkodër për shtimin e ligjëratave dhe aktiviteteve që gjallërojnë më tej jetën fetare dhe kulturore në këto Qendra Islame me dobi të madhe për komunitetin.

