Ceremonia e plotësimit të Hatmes Sherife

Pasditen e së mërkurës, më 21 qershor 2017, në prag të Natës së Kadrit, Myftinia Shkodër organizoi ceremoninë tradicionale të Hatmes Sherife.

Pas faljes së namazit të iqindisë, ceremonia vijoi ne fjalën e rastit të mbajtur nga Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Shkodrës, i cili ligjëroi mbi vlerën e Natës së Kadrit, si natë në të cilën nisi shpallja e Kur'anit.

Myftiu tha se realitetet e sotme të njerëzimit po vërtetojnë përherë e më shumë domosdoshmërinë e kthimit nga udhëzimet e Kur'anit Famëlartë, që falë Zotit është Libri i Shenjtë i paprekur nga dora e epsheve, injorancës dhe kapriçove njerëzore.

Myftiu ftoi të pranishmit të kthehen nga Kur'ani, për ta lexuar me qëllim kuptimin dhe praktikimin e tij në jetë, në gjurmët e Hz. Muhammedit (a.s), që ishte veshur me moralin e Kur'anit.

Pas ligjëratës së Myftiut, u lexuan edhe 20 suret e fundit të ngelura nga leximi i plotë (Hatmeja) e Kur'anit, si dhe u bënë duatë e rastit.

Aktivitetet e Natës së Kadrit do të vazhdojnë përgjatë gjithë natës, deri pas namazit të sabahjt të ditës vijuese.