Falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar që e bëri Natën e Kadrit mundësi kthimi nga dyert e mëshirës dhe faljes, bamirësisë dhe altruizmit, për të reflektuar dhe kuptuar më mirë sesa vlen një jetë me besim dhe nënshtrim ndaj Zotit dhe udhëzimit të Tij!
Dita-ditës, e keqja dhe njerëzit e saj, që ka më shumë se një shekull që janë ulur këmbëkryq në zemër të këtij vendi të shtrenjtë, mundohet të zhveshë nga morali dhe virtyti, besimi dhe pastërtia, një komb të tërë, baballarët e të cili tia dhanë besën All-llahut për ta mbartur amanetin e Fjalës së Tij, brez pas brezi! Të parët tanë e dëshmuan veten!
Sot, stafeta e Amanetit ka mbërritur në duart tona, duke na bërë përherë e më shumë përgjegjës për besimin tonë, Islamin, Kur’anin dhe udhëzimin e tij, Traditën e pastër profetike, (jo atë që e kanë shëmtuar mendimet e ngushta dhe primitivizmi, fanatizmi sektar dhe esktremizmi në marrëdhënie me Fjalën dhe shpirtin e Traditës së vërtetë!?), shpirtin e traditave tona të vyera kombëtare që ngrihen mbi besimin e pastër në Një Zot, vëllazërinë e shenjtë islame dhe harmoninë në mesin e bashkëqytetarëve!
Salavatet dhe bekimet e All-llahut qofshin përherë dëshmi dashnie dhe përuljeje ndaj Ma të Mirit e Ma të Shtrenjtit, Hz. Muhammedit (a.s), zotërisë së bijve të Ademit, që u begatua në mesin e krejt krijesave, me shpalljen e Kur’anit në Natën e Kadrit. Atij, që, “kur iu shfaqën moshat e njerëzve të shkuar, u ngushtua për ymmetin e tij, se mos nuk do arrinin dot gradët e të parëve, për shkak të jetëgjatësisë së të parëve” dhe, All-llahu i dha myzhde: “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj”! – (Ibn Ashur, “Et-Tahrir vet-Tenvir”, vëll. 30, f. 405.)
Të dashur e të shtrenjtë,
Prej adhurimeve më të mira shtesë që bën besimtari, është edhe leximi i Kur’anit. Thotë në suren Fatir, 29: “Ata që e lexojnë librin e All-llahjt, e falin namazin dhe nga begatitë që Ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata shpresojnë në një fitim që kurrë nuk humbet”. Leximi! Por, leximi që shoqërohet me hutim e mungesë gatishmërie për të ndjekur hartën e udhëzimit te asaj që lexohet, nuk vlen, ngelet thjeshtë lexim pa fryt!
Njësoj si ai që lexon se konsumimi i helmit të merr jetën dhe e tejkalon këtë lexim në ndjekje të kapriços dhe epsheve të tij dhe e pi helmin… Njësoj, si ai që lexon se zjarri djeg dhe vendos të vërtetojë sesa e vërtetë është kjo dëshmi që vjen nga një burim i sigurtë dhe, vendos të djegë veten, shtëpinë, pasurinë…
Po, kur ajo që lexojmë në Kur’an është Fjala e Vetë Zotit të universit, që na do të mirën si racë njerëzore, për ne ka dërguar me qindra mijëra të dërguar, ka shpallur Libra hyjnore, si e si njeriu të udhëzohet e të mos shkojë pas thirrjeve të shejtanit, por.., njeriu i ngratë harron e hutohet…
Prandaj, sot, teksa jemi mbledhur të përfitojmë nga bereqetet e kësaj Hatmeje Mubareke, si dhe të pergatitemi shpirtërisht për të hyrë në atmosferën e Natës së 27 të këtij Muaji, me shpresën se do jetë Nata e bekimeve dhe dhuntive të mëdha, Nata e Kadrit, e kemi të domosdoshme të ftojmë njëri-tjetrin drejt angazhimit për ta kuptuar dhe përkthyer në jetën e përditshme Kur’anin Famëlartë. Përndryshe, si do ta lexonim përgjigjen e Nanës tonë Aishe (r.a), kur u pyet për moralin dhe sjelljen e Hz. Muhammedit (a.s), tha: “Kur’ani ishte morali i tij!”
A është Kur’ani sot, morali ynë, modeli ynë i të jetuarit, i komunikimit në bashkësi, i edukimit të fëmijëve, i mbrojtjes së rinisë nga haramet dhe shthurrja, i familjes muslimane shqiptare, i politikanit musliman shqiptar, i tregtarit tonë, i policit tonë, i kryeministrit tonë, i presidentit tonë, i kryebashkiakut tonë, i gazetarit tonë, i shkencëtarit tonë, i Myftiut tonë, i imamit tonë, i xhematit tonë?
Kjo është një pyetje që duhet t’ia drejtojmë shpesh vetes sonë, për të parë sesa muslimanë jemi dhe sa larg hipokrizisë jemi në jetën tonë të përditshme!
Transmeton Enesi (r.a), se Resulull-llahu (a.s) tha: “All-llahu ka ca të zgjedhur në mesin e njerëzve!” I thanë: Kush janë ata, o i dërguar i All-llahut? Tha: “Ehlul-Kur’an, janë njerëzit e përzgjedhur të All-llahut dhe të dashurit e Tij!” – (Nesaiu, Ibn Maxheh, Hakimi dhe Ahmedi)
Pra, lexuesit e vazhdueshëm të Kur’anit, hafizët e nderuar, të angazhuarit me mësimin e tij dhe mbi të gjitha ata që nuk ndahen nga Kur’ani, jo për bereqet e lexim rutin e kalimtar, por për ta mësuar e kuptuar atë, me qëllimin e praktikimit në jetë dhe veshjen me edukatën, shpirtin dhe moralin e tij!
Sot, njeriu i kësaj kohe ka nevojë të madhe për Kur’anin, për të gjetur shërim nga idhujtaria moderne, nga format e larmishme të shirkut, nga imoraliteti, nga djallëzitë, nga hipokrizia, nga mashtrimi e hasedi, nga gënjeshtra e indiferentizmi, nga mospërfillja dhe kopracia.
Njeriu i kësaj kohe, ka nevojë për Dritën e Kur’anit, për të shpëtuar nga errësirat e zemrës, si shkak i gjynaheve të vazhdueshme, nga errësirat e vështirësive të jetës, si shkak i keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit të pasurive, nga errësirat e mendjes dhe logjikës, si shkak i dyshimeve, mashtrimit dhe vesveseve të shejtanëve; xhin a njerëz qofshin etj.
Prandaj, ju ftoj ta merrni amanetin dhe të ngriheni me mbarësinë e All-llahut, ta përhapni këtë Dritë, duke nisur me veten, me të afërmit e familjen, ta përhapni Kur’anin dhe mësimet e tij, pa ndrojtje e pa frikë, plot kurajo e vullnet që i bën edhe malet të nënshtrohen para pastërtisë dhe dashnisë tuaj!
Të dashur e të shtrenjtë vëllezër dhe motra, besimtarë,
Sonte shpresojmë te jetë një Natë plot bekim për krejt ymmetin islam. Lutemi që Nata e Kadrit, të cilën Zoti i gjithësisë e ka përcaktuar si një natë plot begati e mirësi: “Ne e zbritëm atë në një Natë të begatë” – (Kur’ani, Ed-Duhan: 3), të jetë një natë kthese historike për ymmetin tonë, dret Zgjimit të Madh të premtuar në Kur’an e Hadith, drejt ndërgjegjësimit, sepse larg hartës së vendosur nga Zoti ynë për ne, ne do të vazhdojmë të mbetemi të hutuar e larg vlerave të vërteta të Udhëzimit hyjnor, siç e dëshmojmë edhe sot!
Nata e Kadrit, siç shkruan edhe Imam Ibn Ashuri në tefsirin e tij: “Është mësim për muslimanët që të madhërojnë ditët e mirësive të tyre fetare, ditët e mirësive të All-llahut ndaj tyre, njësoj si ajo çfarë Zoti i legjitimoi Musait (a.s) në veçimin e disa ditëve të vitit, që përkojnë me ditë në të cilat ndodhën mirësi të mëdha nga All-llahu për Musain: “Përkujtoju atyre të mirat e All-llahut” – (Kur’ani, Ibrahim: 5). Për këtë, Nata e Kadrit meriton të konsiderohet si Festa e Shpalljes së Kur’anit!” – (Ibn Ashur, “Et-Tahrir vet-Tenvir”, vëll. 30, f. 407)
Me zemër të mirë Natën e Kadrit!
Imam Muhamed B. Sytari
26 Ramazan 1438
Shkodër, më 21 qershor 2017