“Mirënjohje” për Myftiun e Kosovës, Mr. Naim Tërnava

Ditën e xhuma, më 10 nëntor 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt, Myftiun e Republikës së Kosovës, Mr. Naim Tërnava, me ekipin e bashkëpunëtorëve të tij.

Në këtë vizitë vëllazërore, Myftiun e nderuar e shoqëronte edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skënder Bruçaj.

Gjatë këtij takimi të përzemërt, Myftiu i Shkodrës e falënderoi Myftiun Tërnava për këtë vizitë të shënuar, sidomos kur ajo vjen në këtë periudhë të vitit që ka një rëndësi të posaçme për muslimanët e Shkodrës, që përkon me përkujtimin e përvjetorit të rihapjes së Xhamisë së Plumbit, më 16 nëntor 1990.

Me këtë rast, Myftiu i Shkodrës i dorëzoi Kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim Tërnava, një "Certifikatë Mirënjohjeje", për kontributin e tij të shquar në shërbim të vlerave më të spikatura islame dhe kombëtare, si dhe për qëndrimet e tij dinjitare në mbrojte të trashëgimisë islame dhe kombëtare.

Myftiu tha se kontributet e Bashkësisë Islame të Kosovës për Shkodrën janë të pamohueshme gjatë këtyre viteve të rimëkëmbjes islame, qysh pas rilejimit të aktivitetit fetar me ligj në vendin tonë.