Myftiu: “Ruaju, mos të kapi kjo lutje!”
Ditën e hënë, më 27 prill 2026, nëpërmjet kanalit të tij në youtube, Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Zonës Shkodër, risolli në vëmendje një plagë të pambyllur akoma në shoqërinë shqiptare që është grabitja e pronës së tjetrit dhe vuajtjet e pronarëve legjitimë për të marrë hakun e tyre nëpërmjet certifikimit të pronës private që i jep mundësi edhe zhvillimit të saj.
Myftiu solli në vëmendjen rastin e sahabiut të nderuar, Hz. Said ibn Zejd (r.a), të cilin e akuzuan një ditë se kishte grabitur një tokë.
I gjendur përballë gjyqtarit, sahabiu i nderuar u shpreh: “Të grabis unë një tokë, ndërkohë që kam dëgjuar atë fjalë të madhe nga i Dërguari i Allahut (a.s)?!” Dhe kur gjyqtari e pyeti për hadithin në fjalë ai tha: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ai që grabit, qoftë edhe një pëllëmbë tokë, ajo do t’i lidhet sa shatë fishi i tokës në qafën e tij në ditën e kiametit”, pra si shenjë ndëshkimi i madh nga Zoti i gjithësisë për këtë padrejtësi të madhe në hak të pronarit legjitim.
Myftiu tërhoqi vëmendjen se akoma sot, 36 vite pas rënies së komunizmit, në shoqërinë shqiptare fenomeni i vëllavrasjes, i ngatërresave dhe i përplasjeve shpesh edhe të dhunshme për shkak të pronësisë dhe grabitjes së pronës legjitime, është një plagë e cila e rëndon përherë e më shumë çështjen e sigurisë kombëtare, ekuilibrat e paqes sociale dhe cilësinë e vlerave qytetëruese që duhet të dëshmohen në shoqërinë tonë.
Myftiu i bëri thirrje të gjithë atyre që kanë shkelur në pronën e tjetrit, që kanë grabitur qoftë edhe një pëllëmbë tokë apo kanë falsifikuar certifikatat e pronësisë, këtu apo atje, që dera e pendimit është akoma e hapur dhe se çdo njeri sado i paudhë që të jetë e ka një moment kthese dhe reflektimi për t’u kthyer tek e drejta.
Njëkohësisht, Myftiu theksoi se prona legjitime është e shenjtë dhe se kushdo që përpiqet në këtë rrugëtim ka bekimet e Zotit dhe mbështetjen e Tij.
Këtë mesazh, Myftiu e lidhi edhe me lutjen që sahabiu i nderuar, Said ibn Zejd bëri kundër personit që e kishte akuzuar padrejtësisht për grabitjen e pronës me ç’rast tha: “O Zoti im, nëse kjo grua që më akuzon është gënjeshtare verboja sytë dhe merrja shpirtin në tokën e saj”. Nuk kaloi shumë dhe ajo grua u verbua dhe një ditë teksa lëvizte në bahçen e saj ra në një gropë dhe vdiq. Ajo shpesh, pas verbimit, thoshte: “Më ka zënë duaja e Said ibn Zejdit!”.
Myftinia Shkodër, prej dekadash po përballet me padrejtësi të shumta në këtë drejtim, ku akoma qeveritë e këtij tranzicioni 36 vjeçar, nuk kanë arritur të sistemojnë katrahurën e padrejtësive dhe abizimit flagrant me çështjen e pronës.
Rast i patolerueshëm dhe shumë shqetësues për bashkësinë muslimane të Shkodrës, është grabitja spektakolare e vakëfit të Fushë Çelës në zemër të Shkodrës, ku prej kohësh kanë nisur punimet për një ndërtim, që paradoksalisht dhe jashtë çdo logjike drejtësie, vetë institucionet e konsiderojnë si arritje mbi arritjet!?
Më poshtë linku i ligjëratës: