Paraditën e së dielës, më 5 nëntor 2017, Myftinia Shkodër nisi punën për pastrimin dhe rrethimin e vakëfit te Fusha e Tabakut, bri xhamisë së Tabakut.
Më herët, ditën e xhuma, pas faljes së xhumasë në xhaminë e Plumbit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari dha udhëzimet e tij për sistemimin e kësaj prone shekullore, në hapësirat e së cilës ndodhen edhe pjesë të mbetura nga xhamia e vjetër e Tabakut dhe çinari shekullor.
Ditën e sotme, po punohet në grup që të sistemohet ky vakëf dhe të bëhet gati për faljen e xhumasë së ardhshme.
Pas inspektimit të punimeve, Myftiu falënderoi grupin e punës nën drejtimin e menaxherit të pronave, z. Blendi Alushi dhe konfirmoi se Myftinia Shkodër nuk do të tolerojë tjetërsimin e këtij vakëfi dhe të krejt trashëgimisë së saj shekullore.