Myftiu mori pjesë në trajnimin ndërkombëtar mbi “Mesazhin e Amanit”

Gjatë datave 19-26 nëntor 2017, Ministria e Vakëfeve, Çështjeve dhe Shenjtërive Islame në Mbretërinë Hashimite të Jordanisë, zhvilloi edicionin e 37-të të trajnimit ndërkombëtar për shpjegimin e përmbajtjes së “Mesazhit të Amanit”.

Në këtë trajnim me vlerë, morën pjesë myftilerë, studiues, teologë e thirrës islamë nga shumë vende të botës, si: Pakistani, Maroku, Franca, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Ishujt Maldive, Bangladeshi, Palestina, Jordania, Iraku, Bahrejni, Arabia Saudite, Algjeria, Tunizia, Libani, Sudani etj.

Gjatë programit, pjesëmarrësit morën pjesë në ligjëratat dhe leksionet e shumta, nga përfaqësues të shquar të mendimit islam në Jordani dhe përtej, si: Dr. Vail Arabijat, Ministër i Vakëfeve të Jordanisë, Dr. Ibrahim Ebukab, zv/Myfti i Forcave të Armatosura të Jordanisë, Dr. Reshad El-Kejjali, Drejtor i Institutit të Mbretit Abdullah II për Përgatitjen e Thirrësve Islamë, Dr. Muhammed El-Kalajile, Kryemyfti i Jordanisë, Dr. Nebil Sherif, ish-Ministër i Informacionit, Ing. Abdullah El-Ubadi, Drejtor i Xhamisë Aksa (Palestinë) etj.

Gjithashtu, pjesëmarrësit në këtë trajnim ndërkombëtar, vizituan edhe stacione të rëndësishme të historisë islame, si: Vendngjarja e betejës së Motas (e vitit 8-të hixhri), varret e sahabëve të nderuar: Xhafer ibn Ebi Talib, Zejd ibn Harithe, Abdullah ibn Revaha, Muadh ibn Xhebel, Shurehbil ibn Hasene, Ebu Ubejde ibn Xherrah etj, varrin e të dërguarit të All-llahut, Hz. Shuajbit (a.s), vendin e Shpellës së “banorëve të Shpellës”, që përmenden në suren me të njëjtjin emër: “Sureja El-Kehf” etj.

“Mesazhi i Amanit” është ligjërata e famshme e Shejkh Izudin El-Khatib Et-Temimi, Këshilltari i Mbretit për Çështjet Fetare, Kadiu i Madh dhe Kryetari i Mexhlisit të Fetvasë, në prani të Mbretit Abdullah II, ku ndër të tjera theksohet, se: “Shpresa lidhet me angazhimet e dijetarëve të ymetit tonë që të dritësojnë mendjet e brezave tanë të rinj me të vërtetat e Islamit dhe vlerat e tij të mëdha, duke i larguar ata nga rreziqet e rrëshqitjes në shtigjet e injorancës, shthurrjes, mbylljes dhe pasimit të verbër, duke i ndriçuar rrugën me tolerancë, ekuilibër, mesatarizëm dhe mirësi, si dhe duke i distancuar ata nga humnerat e ekstremizmit dhe ngurtësimit, shkatërrimtarë të shpirtit dhe trupit…”.

Nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, merrnin pjesë Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari dhe Myftiu i Kurbinit, z. Emirjon Vathaj.

Gjatë kësaj vizite në Jordani, Myftiu zhvilloi edhe disa takime të vlefshme me disa prej dijetarëve dhe thirrësve islamë të mirënjohur botërisht, që jetojnë dhe veprojnë në Aman të Jordanisë.