Sot, më 12 Rebiul-evvel 1439…

Të dashur e të shtrenjtë,

Sot, në këtë ditë të bardhë dhikri, mbushur me ëmbëlsi salavatesh, lyer me lot malli nga lulet e bardha të jaseminës, përkujtojmë së bashku Lindjen e Begatë të Ma të Mirit e Ma të Shtrenjtit të gjithësisë, Resulull-llahut tonë, Hz. Muhammedit (a.s), për Lindjen e të cilit janë shfaqur sa e sa shenja e fenomene që të ftojnë drejt Nurit të tij, në këtë Ditë Universale të Paqes, Mëshirës e Bekimit për mbarë universin!

Me këtë rast, ju uroj nga zemra një ditë të mbushur me salavate dhe selame drejtuar Zotnisë tonë, sikurse ju ftoj të ringjallni sot, një traditë prej traditave të tij, me nijetin e ripërtëritjes së Shembullit të tij (a.s), për të cilin jemi urdhëruar në Kur'anin Famëlartë.

Fjala bie: Thuaji dikujt një fjalë të mirë dhe freno zemërimin tënd, në gjurmët e tij (a.s)! Largo një pengesë nga rruga, dhuroji frymëmarrje tokës e natyrës! Ndihmo dikë që ka nevojë për ndihmë, në këto ditë të ftohta, kur shumë e shumë kanë nevojë për një dorë të paqtë, plot mëshirë e dhembshuri! Buzëqeshi njerëzve të familjes, duke sjellë ndër mend se ai (a.s), ishte "më i miri ndër me familjen e tij"! Dhuro një sadeka sado të vogël, prej së cilës as pakësohet pasuria, as mbyllen burimet e rizkut! Ndërmerr një iniciativë pozitive ndaj familjes, një miku a ndaj shoqërisë ku jeton, duke falur Paqe! Dhuro një libër të dobishëm, një laps a një fletore; për të cilat është betuar Zoti i gjithësisë! Ndihmo një borxhli për të shlyer borxhet, me sa të kesh mundësi! Bëj një të mirë për tokën tënde, për vendin tënd, për kombin tënd, për njerëzinë, nga pozita që të ka caktuar Zoti në jetë! Mëshiro, të mëshirohesh! Fal, të flesh! Duro, të arrish lartësitë! Duaji krijesat e Zotit, për Zotin, Krijuesin e vetëm të tanësisë!

Sot, krejt bota islame përkujton Lindjen e Ma të Mirit, duke u rikthyer me vëmendje të madhe tek Shembulli i tij; Mëshira, Bujaria, Ndershmëria, Urtia, Pastërtia, Paqja, Dija, Pasuria, Forca pozitive për ndërtimin e të Mirës në jetë, Dialogu, Toleranca, Sinqeriteti, Vetëpërmbajtja e tij, Alejhis-selam!

Ëmbëlsoni shtëpitë tuaja me shtimin e salavatit për Zotërinë e tij dhe falënderoni All-llahun e Madhëruar që na bëri pjesë të ymetit të Zotërisë së bijve të Ademit (a.s)!

Dhe, mos harroni, të dashurit e mi, se përkujtimi më i mirë i kësaj dite është pa dyshim ripërtëritja e besës së dashnisë me Zotninë e tij në zemër, në thellësi të ndërgjegjes, në thelb të shtysës që aktivizon energjitë e të mirës në jetën e përditshme, në sjelljet dhe në veprat tona!

All-llahu ju dashtë e ju bekoftë, jua shtoftë dashninë dhe vullnetin për të ecur në gjurmët e Resulull-llahut (a.s), të përulur para shaqjes së tij: "Mëshirë për krejt botët!"...

Imam Muhamed B. Sytari

Shkodër, 12 Rebiul-evvel 1439/30 nëntor 2017