Imami nga Dagistani, vizitë në Myftininë Shkodër
Ditën e martë, më 27 korrik 2026, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt, të nderuarin, H. Shamil Eldarkhanov, mësues, imam dhe autor i njohur nga Dagistani.
Gjatë takimit të përzemërt, Myftiu e njohu mikun nga Dagistani me veçoritë e qytetit të Shkodrës, bashkëjetesën ndërfetare, zhvillimin e Thirrjes Islame dhe ecurinë e saj deri në ditët e sotme.
Përshtypjet e tij për këtë vizitë në Shkodër, i nderuari, H. Shamil Eldarkhanov, i pasqyroi në rrjetet e tij sociale, ku shënoi:
“Sot pata fatin të takohem me Myftiun e Shkodrës – Shejh Muhamed Sytarin.
Gjëja më interesante është se ky takim ndodhi krejtësisht papritur. Kur po shkoja në Shkodër, një nga mësuesit e mi pa storien time dhe më dërgoi menjëherë kontaktin e një personi që kishte studiuar me të.
I shkrova dhe ai u përgjigj menjëherë: “Eja” dhe shtoi disa fjalë në gjuhën avare.
Kështu, me vullnetin e të Plotfuqishmit, u bë i mundur ky takim i paharruar.
Biseduam gjatë. Shejhu tregoi për historinë e Islamit në Shqipëri, për gjendjen e myslimanëve dhe për rrugën e tij në kërkimin e dijes.
Ishte shumë interesante për ta dëgjuar. Veçanërisht më pëlqeu, kur mora vesh se ai njihte shumë nga dijetarët tanë të Dagestanit që kanë studiuar në Siri.
Gjithashtu doli që ai ka studiuar në të njëjtin kurs me Shejh Abdurrahman Sildinskin (mësues në Universitetin e Imam Eshariut në Dagistan).
Në fund të takimit, shejhu më kërkoi t’u përcjell selam të gjithë vëllezërve në Dagistan dhe shtoi se na do shumë të gjithëve.
Me gëzim jua përcjell atë:
“Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu!”
Veçanërisht dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë Shejh Muhamed Sytarit. Pavarësisht ngarkesës së madhe dhe përgjegjësisë si Myfti i Shkodrës, ai më priti shumë ngrohtësisht, më dha kohë, edhe pse vizita ime ishte krejtësisht e papritur. Zoti i Plotfuqishëm e shpërbleftë bujarisht për mikpritjen, vëmendjen dhe mirësinë.”

