“Zekati i diturisë”, seria e re e mexhliseve të hadithit

Paraditën e së dielës, më 31 dhjetor 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim këshillimor në prag të fillimit të serisë së re të mexhliseve të hadithit, me temë: “Zekati i diturisë”.

Tubimet në fjalë vijnë në vazhdën e aktiviteteve në kuadër të përkujtimit të Lindjes së Begatë, misionit, sakrificave dhe mëshirës me të cilën u dërgua Hz. Muhammedi (a.s), udhëzim dhe dritë për gjithësinë.

Seria e re e mexhliseve të hadithit bazohet në leximin e broshurës me 5 hadithe të përzgjedhura nga teologu Gilman Kazazi, botim i Myftinisë Shkodër, dhjetor 2017.

Mexhliset do të zhvillohen në 10 xhami, përgjatë krejt muajit janar 2018, sipas një programi që do të afishohet shumë shpejt.

Me këtë rast, Myftinia Shkodër ju fton të bëheni pjesë e këtyre tubimeve me vlerë, duke shfrytëzuar kohën për punë të dobishme dhe për kërkimin e dijes së vlefshme.