Myftiu inspekton dy xhamitë e reja në ndërtim, në fshatin Oblikë dhe në lagjen Draçin

Ditën e martë, më 9 janar 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një inspektim në terren për të parë nga afër punimet që po kryhen për ndërtimin e dy xhamive të reja; në fshatin Oblikë dhe në lagjen Draçin.

Prej pak kohësh ka nisur puna për zgjerimin e xhamisë së Oblikës, e cila kishte nevojë për ndërhyrje dhe falë interesimit të drejtëpërdrejtë të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skender Bruçaj, u arrit sigurimi i fondit dhe projektit të përshtatshëm për këtë zonë.

Njëkohësisht, pas 50 viteve mungesë të xhamisë, filloi puna për ndërtimin e xhamisë së re në lagjen Draçin, një lagje e vjetër muslimane e Shkodrës.

Xhamia e Draçinit po ndërtohet në të njëjtin vend, ku ndodhej xhamia e vjetër dhe varreza e saj.

Xhamia e Draçinit po ndërtohet në bashkëpunim me Fondacionin “Mirësia”, Tiranë.

Gjatë inspektimeve, Myftiu shprehu gëzimin e tij që Shkodra po pajiset me xhami të reja, të domosdoshme për zhvillimin e jetës fetare në vend. Ai theksoi gjithashtu, se Myftinia Shkodër është e angazhuar të ndërtojë xhami të reja në çdo lagje muslimane të qytetit dhe në fshat, sidomos në disa vende, ku mungesa e xhamisë është shqetësim komunitar, si në Rus, Dobraç, Ndocaj, Pazar, Kiras, te Livadet etj.