U zhvillua konferenca e 7-të vjetore e imamëve, teologëve dhe thirrësve islamë të Shkodrës

Paraditën e ditës së mërkurë, më 28 shkurt 2018, Myftinia Shkodër organizoi konferencën e 7-të vjetore të imamëve, teologëve dhe thirrësve islamë të Shkodrës, një aktivitet i përvitshëm dhe shumë i rëndësishëm i Myftinisë Shkodër.

Fillimisht, konferencën e përshëndeti Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili dha edhe mesazhin e rastit drejtuar imamëve.

Ndër të tjera Myftiu tha: “Imamët, thirrësit islamë, në veçanti, kanë një përgjegjësi të shumëfishtë kundrejt asaj që përhapet si zjarri në të thatë, në dëm të shoqërisë sonë, sidomos në raport me familjen, ruajtjen, konsolidimin dhe forcimin e saj me vlerat e qytetërimit islam, që bazohet në Kur’an dhe Traditat e Më të Mirit të njerëzimit, Hz. Muhammedit (a.s).

Ka shumë rëndësi, që nëpërmjet predikimeve të ndryshme, takimeve, bisedave, ndejave të shpeshta me besimtarë e qytetarë që interesohen për fenë e tyre, të vëmë theksin te domosdoshmëria e ruajtjes së familjes dhe forcimit të lidhjeve në mesin e antarëve të saj, për të dëshmuar bashkarisht madhështinë e shembullit islam në këtë drejtim.”

Konferencën e përshëndeti edhe Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, i cili vuri theksin tek domosdoshmëria e adhurimit në familje, veçanërisht në kryerjen e obligimit të namazit. Ai foli për rëndësinë dhe dobinë që sjell namazi në mesin e familjes.

Më pas konferenca vazhdoi në dy seanca, sipas programit me temën kryesore të saj: “Familja e shëndoshë islame”:

  1. Familja përballë sfidave të modernitetit - Lavdrim Hamja, imam - xhamia e “Dy Vajzave”.
  2. Shtimi i divorceve dhe pakësimi i lindjeve, si dy fenomene alarmuese - Gilman Kazazi, imam - xhamia “Ebu Bekër”.
  3. Metodologjia e Pejgamberit (a.s) në zgjidhjen e problemeve bashkëshortore - Naim Drijaj, imam - xhamia Parrucë.
  4. Përgjegjësia e edukimit të familjes - Arben Halluni, teolog.
  5. Hz. Muhammedi (a.s) si model i kryefamiljarit të përkushtuar - Durim Kasemi, Imam - xhamia Parrucë.
  6. Roli i xhamisë në edukimin familjar - Ruzhdi Plangaj, imam - xhamia Kiras.
  7. Tefsiri i ajetit: “Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni zot tjetër, përveç Tij dhe me prindërit të silleni mirë” - Ervil Kuçi, imam - xhamia Dërgut.

Në fund u dhanë edhe konkluzionet e konferencës dhe u lajmërua se materialet e plota të saj do të botohen në një botim të veçantë.