Myftiu nisi një cikël të ri hytbesh mbi familjen në Islam

Ditën e xhuma, më 2 mars 2018, nga minberi i xhamisë së “Dy Vajzave”, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, nisi një cikël të ri hytbesh mbi familje, rolin dhe vlerat e saj, sipas Kur’anit dhe Traditës së Hz. Muhammedit (a.s).

Në fillim të hytbes së tij, Myftiu lajmëroi të pranishmit, se në konferencën e 7-të vjetore të imamëve, teologëve dhe thirrësve islamë të Shkodrës, u vendos që viti 2018 të jetë “Viti i Familjes”, duke u përqendruar me krejt aktivitetin dhe dinamikën e tij rreth kësaj teme.

Myftiu tha se familja e sotme shqiptare është e kërcënuar nga propagandat shpërbërëse të shpirtit të tabanit islam, flamurtarë të së cilave janë media dhe politika.

Ai tha se Shqipëria është një vend islam, por se realiteti i familjes, ku po shtohen divorcet, lindjet e pakëta dhe, ku po shtohen fenomene të shoqërive dekadente, si bashkëjetesa në mesin e dy personave me gjini të kundërt, mbështetja e hapur ndaj të shthurrurve e të devijuarve, edhe me mbështetjen e organizuar të medias dhe politikës, na nxit edhe më shumë drejt një angazhimi maksimal për të mos pranuar këtë realitet dhe për të mbrojtur tabanin e familjes së shëndoshë islame dhe tradicionale shqiptare.

Njëkohësisht, Myftiu dënoi çdo lloj poshtërimi që i bëhet fesë islame dhe komunitetit më të madh fetar në vend, nëpërmjet pjesëmarrjes së ndonjë “biçim imami” në spote televizive të turpshme dhe pa asnjë vlerë!