Myftiu bashkëbisedoi me një grup studentësh nga Danimarka

Paraditën e së dielës, më 15 prill 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt një grup studentësh nga Roskilde University, nga Danimarka, të cilët kanë mbërritur në vendin tonë për të zhvilluar një studim rreth realiteteve shqiptare, besimit, marrëdhënieve ndërfetare, familjes shqiptare, demokracisë, të sotmes dhe të ardhmes së Shqipërisë.

Gjatë bashkëbisedimit të ngrohtë, Myftiu iu përgjigj pyetjeve të shumta të vizitorëve të tij. Ai theksoi se, shqiptarët janë një popull, që e ka ndërtuar identitetin e tij mbi besimin, besën, fjalën e nderit dhe punën. Njëkohësisht theksoi se, vlerat e harmonisë ndërfetare mbeten një ndër vlerat reale të kësaj shoqërie.

"Shqipëria është një vend musliman, ku jetojnë edhe komunitete të tjera fetare, në paqe dhe harmoni, sepse, aty ku ka Islam të vërtetë dhe lexim serioz dhe të urtë të teksteve të tij fetare, aty është e garantuar harmonia fetare!",- theksoi ndër të tjera Myftiu.

Ai iu përgjigj edhe pyetjeve që lidhen me familjen dhe tiparet e saj, ku theksoi se shqiptarët janë njerëz të lidhur pas familjes së madhe, ku respektohet dhe nderohet i pari i familjes, ku nderohet nëna dhe ku fëmijët edukohen dhe arsimohen. Kohëve të fundit, po dëgjohen thirrje për ta devijuar këtë taban, për ta zvogëluar familjen shqiptare, për ta shqyer perden e turpit dhe për ta degraduar familjen shqiptare!

Njëkohësisht, Myftiu informoi vizitorët e nderuar se, Islami thërret drejt paqtimit të racës njerëzore, fisnikërimit të njeriut dhe respektimit të aftësive të tij dhe se, realitetet e sotme botërore të ndezura në dhunë, luftra, drogë e shthurje morale, dëshmojnë më së miri se, njeriu i sotëm e ka humbur busullën e udhëzimit dhe se, kjo botë ka nevojë të menjëhershme për të kthyer zemrën nga Krijuesi i saj!

Ai tha se, përtej propagandave islamofobe, keqleximit dhe keqinterpretimit të fesë islame, Kur'ani dhe traditat e Hz. Muhammedit (a.s.) mbeten objekt studimi dhe leximi me qetësi, për të gjetur rrugët e udhëzimit dhe lartësimit në shkallët e humanizmit.