“Përjetime Haxhi”, me haxhilerët shkodranë të këtij viti

Pasditen e së xhumasë, më 5 tetor 2018, Myftinia Shkodër organizoi një aktivitet kushtuar haxhilerëve të këtij viti. Si një traditë e përvitshme, ky takim u shoqërua me emocione të shumta, kujtime të paharruara dhe mbresa të veçanta nga të ftuarit.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Lauren Luli, Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, studiuesi islam nga Jordania, Dr. Xhemal Saferti, drejtori i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, imamë të xhamive, intelektualë dhe miq të Myftinisë Shkodër, që nderuan haxhilerët me urimet dhe mesazhet e tyre.

Në fjalën e rastit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, pohoi se adhurimi i Haxhit të sivjetshëm ishte i mbushur me mesazhe, që e lidhin Shkodrën me vendet e shenjta, sikurse na nxisin të mendojmë për bekimet e mëdha me të cilat është rrethuar jeta e jonë në Islam.

Myftiu lajmëroi të pranishmit edhe për projektin e tij të ri për botimin e një libri me shënimet dhe frymëzimet e këtij udhëtimi të paharruar të këtij viti.

Aktivitetin e përshëndetën edhe nënkryetari i KMSh-së, Myftiu i Malësisë së Madhe, Dr. Xhemal Saferti, teologu Lavdrim Hamja si dhe teologu Ruzhdi Plangaj, që dhanë mesazhe urimi dhe hodhën dritë mbi vlerën e madhe që ka Haxhi, si njëra prej pesë shtyllave të fesë tonë.

Në mesazhet e tyre u vu theksi te ruajtja e shpirtit të Haxhit dhe dëshmimi i kësaj mirësie të madhe gjatë gjithë jetës, sidomos në marrëdhënie me njerëzit e afërm dhe shoqërinë.

Në një ligjëratë të posaçme, teologu Idmir Plaku, foli mbi emocionet dhe mbresat e tij nga Haxhi i sivjetshëm. Me një gjuhë të pasur me dritë kujtimesh, ai dhuroi emocione të shumta, që e zbukuruan këtë aktivitet me përmendjen e disa prej stacioneve kryesore të Haxhit 1439.

Në fund, për të pranishmit u shtrua një koktejl, ku të ftuarit patën mundësi të ndajnë me njëri-tjetrin kujtime dhe mbresa nga ky udhëtim i mrekullueshëm besimi.