Të jetojmë me dinjitetin e qenies mëkëmbës të Zotit në tokë!

Të gjithë ju keni dëgjuar për termin: “gjynahet e mëdha”, në ligjërimet e ndryshme fetare, a në leximet tuaja të teksteve të ndryshme islame, që tërheqin vëmendjen e besimtarëve drejt përsosmërisë morale e fetare në jetë.

All-llahu i Madhëruar urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “Ata që largohen prej gjynaheve të mëdha dhe prej punëve të fëlliqta, përpos ndonjë pune të imët, s’ka dyshim se Zoti yt është që gjerësisht përfshin me falje, se Ai di më së miri për ju edhe para se t’ju krijojë edhe kur filloi krijimin tuaj nga dheu, e edhe kur ishit të fshehur në barqet e nënave tuaja, pra mos lavdëroni veten, se Ai e di kush është më i ruajtur”.[1]

Në tefsirin e këtij ajeti lexojmë se: “Gjynah i madh është ai veprim i gabuar, që vendos perde në mesin e robit me All-llahun e Madhëruar, ndërkohë që është transmetuar mallkimi për vepruesin e tij, ose ndëshkimi në ditën e gjykimit për praktikuesin e tij. … Ndërsa {punët e imëta} të përmendura në këtë ajet, janë ato gjynahe, prej të cilave njeriu është penduar me sinqeritet, duke e mbyllur faqen e tyre. Prej këtu themi se çdo gjynah që ka bërë njeriu në gjendje xhahilijeti, para se të pendohej e të pajtohej me All-llahun; pastaj është penduar, konsiderohet si faqe e mbyllur dhe All-llahu i Madhëruar e fal dhe liron nga ai gjynah”.[2]

Vetëm duke menduar për këtë detaj të marrëdhënies me Zotin e gjithësisë; pendimin nga gjynahet dhe pranimin e teubes, kuptojmë madhështinë e kësaj feje, nëpërmjet të cilës, All-llahu i Madhëruar na ka nxjerrë nga dëshpërimi në shpresë e optimizëm për jetën, nga errësira e gjynahut në dritën e mirësjelljes, nga anarshia në jetë në organizim dhe disiplinë ndërtuese!

Dëgjoni këtë hadith kudsi, nëpërmjet të cilit Zoti i gjithësisë na drejtohet duke na thënë: “O i biri i Ademit, sado që ti do të më lutesh dhe do të shpresosh në mëshirën Time, do të të fal për gjynahet e bëra, pa më kushtuar asgjë! O i biri i Ademit, edhe sikur gjynahet e tua do të mbërrijnë në kupë të qiellit, pastaj ti do të më kërkosh falje, do të të fal, pa më kushtuar asgjë! O i biri i Ademit, sikur të më vije me gjynahe sa hapësirat e tokës, pastaj do të më takoje (në ditën e gjykimit) duke mos më bërë shirk, do të të vija me hapësirat e saj falje!”[3]

Të dashur e të shtrenjtë besimtarë,

Realitetet e sotme të jetës shqiptare janë të mbushura me propaganda të anarshisë, frikës, vrasjeve, drogës, alkoolit, bixhozit, borxheve me fajde, kamatës, pabesisë, tradhëtisë, divorceve të shumta dhe aborteve, tendencave për ta marrë për dore shoqërinë drejt shthurjes idhujtare dhe islamofobisë, imoralitetit dhe papastërtisë, heqjes së perdeve të turpit dhe tharjes së ujit të fytyrës! Krejt këto fenomene janë alarme të forta për shoqërinë besimtare, për bashkësinë tonë, për komunitetet fetare dhe krejt ata që mendojnë dhe punojnë për të mirën e këtij vendi!

Shumëkush pyet se cila është zgjidhja? Ajo është shumë e lehtë, por njëkohësisht kërkon vullnet dhe angazhim nga gjithsecili prej nesh!

Fillimisht, secili nga ne dhe kushdo që e ndjen veten e tij të përfshirë në thirrjen e shenjtë: “O i biri i Ademit”, duhet të pendohet në çast, duke kërkuar falje e duke shpallur nijetin e pastër të pajtimit me Zotin dhe vullnetin e rrugëtimit drejt kërkimit të kënaqësisë së Tij në jetë. Shtimi i shprehjes: “Estagfirull-llah” është shumë i pëlqyer për ne, në mesin e porosive të shumta të Resulull-llahut (a.s.), me të cilat na drejtohet për të përsosur sjelljen dhe moralin tonë!

Pastaj, duhet të kuptojmë dhe të dimë shumë mirë se cilat janë gjynahet e mëdha, prej të cilave duhet distancuar dhe shkëputur çdo lidhje me to, sado e vogël qoftë, për të përfituar mëshirën dhe faljen e Tij!

Nga këtu, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj hadithin e Resulull-llahut (a.s.), kur thotë: “Distancohuni nga shtatë gjynahet shkatërrimtare: shirku, magjia, vrasja, ngrënia e pasurisë së jetimit, ngrënia e fajdeve, dezertimi në ditën e betejës dhe të akuzosh gratë e ndershme për imoralitet!”.[4]

Ndërkohë, është transmetuar nga “Ibn Abbasi (r.a.), që thotë se këto gjynahe arrijnë deri në shtatëdhjetë”.[5] Dhe, përtej hadithit të shtatë gjynaheve shkatërruese, ka transmetime të tjera që përfshijnë edhe shumë veprime të ulëta, që në këndvështrimin islam janë konsideruar si gjynahe të mëdha, si: mosrespektimi i prindërve, dëshmia e rreme, etj.

Në librin e titulluar “Gjynahet e mëdha”, Imam Dhehebiu (663-743 h.), ka grumbulluar plot 76 vepra, që konsiderohen si gjynahe të mëdha, veprimi i të cilave e ngarkon racën njerëzore me mallkim dhe humbje të mëshirës së Zotit!

Përmend, ndër të tjera: “Shirku, vrasja, magjia, lënia e namazit, ndalimi i zekatit, mosrespektimi i prindërve, ngrënia e fajdeve, ngrënia e pasurisë së jetimit, të gënjyerit në emër të Resulull-llahut (a.s.), prishja e ditës së Ramazanit pa justifikim e pa tolerim, dezertimi në fushëbetejë, imoraliteti (zinaja), prijësi që mashtron popullin e tij, pirja e alkoolit edhe nëse nuk të deh, mendjemadhështia dhe vetëkënaqësia[6], dëshmia e rreme, homoseksualizmi, akuzimi i grave të ndershme me imoralitet, padrejtësia e marrjes së pasurisë së tjetrit me mashtrime, vjedhja, plaçkitja, betimi i rremë, gënjeshtra, vetëvrasja, (që konsiderohet ndër gjynahet më të mëdha), gjyqtari i keq, përngjasimi i grave me burrat dhe anasjelltas, ngrënia e cofëtinës, gjakut dhe mishit të derrit, mospastrimi pas kryerjes së nevojave personale, syfaqësia, tradhtia, të mësuarit për interesa material dhe fshehja e dijes, përmendja e bamirësisë së bërë, mohimi i përcaktimit hyjnor[7], mallkuesi, vërtetimi i fjalëve të fallxhoreve e të ngjashëm me to, rebelimi i gruas, ai që shkëput lidhjet farefisnore, bartësi i fjalëve, vajtimi i të vdekurit dhe lëndimi i trupit me këtë rast, lëndimi i muslimanëve dhe sharja e tyre, lëndimi ieulijave të All-llahut dhe armiqësimi i tyre, sharja e sahabëve të mëdhenj, sharja e ensarëve, ai që thërret drejt shthurjes e devijimit, a shpik risi të dëmshme, ai që vjedh në peshore, pesimizmi në mëshirën e All-llahut, mosmirënjohja ndaj bamirësisë, lëndimi i fytyrës së kafshës, lënia e xhumasë, etj.”[8]

Nga sa më lart, kuptojmë madhështinë e kësaj feje, që ka përfshirë çdo fushë të jetës, duke nxitur të mirën dhe ruajtjen e dinjitetit njerëzor, përhapjen e pastërtisë në besim e moral, nxitjen e dijes dhe përhapjen e saj në mesin e kërkuesve të saj, mbrojtjen e të drejtave të individit dhe shoqërisë, ruajtjen e jetës dhe mbrojtjen e saj nga çdo gjë që e dëmton atë, lartësimin e pozitës së prindërve, gruas dhe farefisit, nxitjen e përkujdesjes për familjen dhe edukimin e fëmijëve, fitimin e hallallit dhe distancimin nga harami, etj.

Të dashur e të shtrenjtë,

Është koha që vlerat e besimit tonë t’i lexojmë e t’i kuptojmë si duhet, të vishemi me to, të angazhohemi për t’i përhapur në shoqëri me plot dinjitet dhe krenari, sepse në gjurmët e të parëve tanë do të ecim nëse duam të jetojmë me dinjitetin e qenies mëkëmbës të Zotit në tokë! E, nëse duam të shkojmë pas thirrjeve të propagandave të zhveshjes nga ky moral dhe ky shpirt, atëherë, le t’i lexojmë me të madhe ajetet vijuese: [E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?”. Ai (All-llahu) thotë: “Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je ti i harruar sot!”].[9]

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

 (Hytbeja e mbajtur në xhaminë e Dërgutit, më 5 tetor 2018)

 


[1] Kur’ani, En-Nexhm: 32.

[2] Dr. Mhammed Ratib En-Nabulsi, Tefsirun-Nabulsi, vëll. 9, f. 102.

[3] Transmetuar nga Tirmidhiu, nga Enesi (r.a.).

[4] Transmetuar nga Bukhriu dhe Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a.).

[5] Imam Dhehebiu, El-Kebair, botimi i 7-të, Damask-Medine, 1991, f. 42.

[6] Kanë thënë të moçmit tonë: “Nëse do ta mallkosh dikë, thuaji: T’hiftë vedi n’qejf”.

[7] Ka prej atyre që thonë: Njeriu e krijon vetë fatin e vet!?

[8] Imam Dhehebiu, vep. e cit., f. 248-251.

[9] Kur’ani, Ta Ha: 124-126.