Madhështi në ceremoninë e faljes së Fitër Bajramit 1447/2026

Madhështi në ceremoninë e faljes së Fitër Bajramit 1447/2026

Madhështi në ceremoninë e faljes së Fitër Bajramit

Në një atmosferë shpirtërore dhe me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, në  sheshin vakëf të Fushë Çelsë, pranë xhamisë “Ebu Bekër”, ditën e xhuma, më 20 mars 2026, u zhvillua ceremonia e faljes së Fitër Bajramit, duke shënuar një nga tubimet më të mëdha të besimtarëve ndër vite. Sheshi dhe ambientet përreth u mbushën plot e përplot, duke reflektuar gjallërinë e besimit dhe dashurinë për këtë festë të madhe islame.

Programi nisi që në orët e para të mëngjesit me faljen e namazit të sabahut nën drejtimin e H. Gëzim Dungaj, ndërsa më pas vijoi me një sërë ligjëratash të përgatitura nga imamët e angazhuar, të cilët përcollën mesazhe me vlerë për jetën shpirtërore dhe shoqërore të besimtarëve.

Në kuadër të këtij programi, imamët: H. Ervil Kuçi, H. Adil Cukali, H. Ardit Hoxha, H. Ruzhdi Plangaj dhe H. Adem Pizga  trajtuan tema me rëndësi si: vazhdimësia e adhurimit pas Ramazanit, vëllazëria islame si çelës i suksesit, kujdesi për rininë dhe e ardhmja, bamirësia si pasuri, fuqia e lutjes, si dhe angazhimi me Kur’anin edhe pas muajit të bekuar.

Mesazhi kryesor në emër të Myftinisë Shkodër u përcoll nga teologu Arben Halluni, i cili në fjalën e tij u ndal tek vlera e familjes në shoqërinë tonë, duke theksuar se një familje e shëndoshë dhe e natyrshme është themeli i një shoqërie të fortë dhe të qëndrueshme. Ai bëri thirrje për ruajtjen e harmonisë, respektit dhe dashurisë brenda familjes, si dhe për forcimin e lidhjeve mes njëri-tjetrit.

Namazi i Fitër Bajramit u drejtua nga H. Idmir Plaku, duke u shoqëruar me hytben e rastit, ku përcolli mesazhe paqeje, faljeje dhe solidariteti.

Kjo ditë e bekuar u përmbyll me urime të ndërsjella dhe emocione të veçanta, duke dëshmuar edhe një herë se Bajrami mbetet simbol i unitetit, dashurisë dhe lumturisë mes njerëzve.