Mesazhi i Presidentit të Republikës në iftarin me mediat, pas Natës së Kadrit

Mesazhi i Presidentit të Republikës në iftarin me mediat, pas Natës së Kadrit

Mbrëmjen e djeshme, më 17 mars 2026, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, shtroi një iftar të veçantë me gazetarët dhe përfaqësues të mediave në vend, në kuadër të Muajit të Begatë të Ramazanit.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj vlerësoi kontributin e gazetarëve, duke theksuar rëndësinë e profesionalizmit, etikës dhe përgjegjshmërisë në raportimin e ngjarjeve. Ai u shpreh se media mbetet një shtyllë e rëndësishme e shoqërisë, duke kontribuar në transparencë dhe në ndërtimin e besimit publik.

Presidenti Begaj u shpreh duke thënë: “Jemi mbledhur këtu sot pas Natës së Kadrit, Nata e Shenjtë, që në traditën islame përshkruhet si më e vlefshme se njëmijë muaj së bashku!

Ajo na kujton se, një moment i vetëm përulësie dhe reflektimi, përmbajtje dhe sinqeriteti, peshon më rëndë se sa vite të tëra pa reflektim, dhe ndoshta kjo është një kujtesë e çmuar edhe për misionin tuaj, të nderuar profesionistë të medias. Sepse, gazetaria në kulmin e saj është një formë e agjërimit të fjalës, është aftësia për të mos thënë gjithçka që dëgjon, por vetëm atë që është e vërtetë dhe e dobishme; të thuash vetëm atë që di dhe ta njoftosh atë, pasi që ta verifikosh.

Ky Muaj i Bekuar po largohet, por le të mos largohen vlerat që ky Muaj mbart, dhe bashkë me të, dhe dëshira jonë për të qenë të vërtetë me veten dhe me të tjerët.

Uroj që forca që gjetën gjatë agjërimit, durimi që treguat në pritje të iftarit dhe paqja e këtyre netëve t’ju shoqërojë gjatë gjithë jetës tuaj, e në çdo rresht që shkruani dhe në çdo fjalë që thoni.

Le të jetë e vërteta ajo që na udhëheq dhe mirësia ajo që na bashkon.

Uroj që drita e këtyre ditëve të mbetet e ndezur në çdo shtëpi dhe redaksi tuaj.

Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi ju dhe familjet tuaja.

Agjërim të pranuar dhe mbarësi paçi gjithmonë në familjet tuaja!”