Përshpirtje nga Haxhi i sivjetshëm në Tv1 Channel

Pasditën e së martës, më 8 tetor 2018, imamët e nderuar Idmir Plaku (xhamia “Ebu Bekër”) dhe Adem Shahini (xhamia Perash) ishin të ftuarit nga Myftinia Shkodër, në emisionin: “Pasdite në Tv1 Channel” për të folur mbi eksperiencën e tyre dhe kujtimet e Haxhit të sivjetshëm.

Gjatë bashkëbisedimit, imamët e nderuar hodhën dritë mbi vlerat dhe pozitën e Haxhit, si një ndër pesë shtyllat e fesë islame. Njëkohësisht vunë theksin tek pozita e lartë e këtij adhurimi dhe shpërblimet që meriton ai që e kryen atë me përpikmëri dhe besim të patundur në mëshirën dhe bekimet e All-llahut.

Imamët thanë se është mirësi e madhe për Shkodrën dhe Shqipërinë, fakti që muslimanët e vendit tonë e kryejnë me rregull dhe përmallim të madh këtë adhurim të shtrenjtë.

Ata dhanë edhe përshtypjet dhe emocionet e tyre të përjetuara gjatë Haxhit të sivjetshëm, ku patën mundësinë e madhe të ishin prej vizitorëve të Shtëpisë së shenjtë.

Ata vlerësuan tubimin e papërshkrueshëm të haxhilerëve nga mbarë bota si një moment kthese për mbarë botën dhe reflektim për kthimin e njeriut nga Zoti i tij, me pendim dhe në kërkim të mëshirës dhe faljes.