Kemi nevojë të ngrihemi nga gjendja e neglizhencës dhe pasivitetit në hak të fesë!

All-llahu i Madhëruar me urtësinë e Tij na ka dhënë mundësi që herë pas here; edhe kur të kemi harruar për një moment a më shumë hakun e Resulull-llahut (a.s.) ndër ne, salavatin me dashni dhe pasimin mbi bazën e kësaj dashnie, që lidhet në të gjitha rrugët e saj me Krijuesin e gjithësisë; të na e freskojë memorien me përsëritjen e Hanës së lumturuar të muajit Rebiulevvel, në të dymbëdhjetën ditë të cilit, rreth 15 shekuj më parë, në vitin e largët 571, në një nga lagjet e Mekës, aty bri Qabes së Madhnueshme, erdhi në jetë një jetim, që do ta nxirrte njerëzimin nga errësira në dritë, me udhëzimin dhe mëshirën e Zotit të botëve!

Muhammed, ia vunë emrin! I biri i Abdull-llahut, nipi i plakut të urtë Abdulmuttalib, zinxhiri i trashëgimisë së të cilit mbërrinte deri tek Hz. Ismaili, djali i dashtun dhe i bindur i Hz. Ibrahimit (a.s.), të dërguarit që meritoi të thirrej: mik i All-llahut!

Rebiulevveli i sivjetshëm erdhi. Me zemër të mirë për mbarë ymetin islam! E gjeti botën tonë më të trazuar se kurrë. Tamam-tamam, ashtu si edhe ai muaj i pranverës së parë – (kështu i thonë në arabisht këtij muaji), që e pat gjetur njeriun, arabët në veçanti, të shpërndarë e të hutuar, të zhytur në padrejtësi e injorancë, vllavrasje e luftra të padrejta, sundime tirane e pushtime egoiste, që arrinin deri në atë pikë, sa në Kur’anin Famëlartë lexojmë një sure me emrin e elefantit, ku mësojmë për dyndjen e Ebrehesë me elefantë e ushtri, me të cilën synonte të shembte dhe të shkatërronte Qaben e Madhnueshme… Deri në këtë pikë kishte mbërritur gjendja!? Por, ashtu siç do të thoshte edhe i urti plak, Abdulmutalibi, gjyshi i jetimit, që ende s’kishte ardhur në këtë botë: “Kjo Shtëpi e ka një Zot që e mbron!” dhe, ashtu u dëshmua..!

Erdhi Pejgamberi (a.s.) në mesin e arabëve në pranverën e parë, për të përjetuar arabët dhe mbarë bota vlerat reale të pranverës së besimit, jo siç provojnë sot mbi kurriz, ata dhe mbarë bota islame, pranverën e acartë të djegies, të shkatërrimit, të dhunës, të terrorizmit, të përçarjes, të keqleximit dhe keqinterpretimit të boshtit të kësaj feje të madhnueshme islame!

E gjeti botën të zhytur në mjegullnajën e dilemave të mëdha të përkatësisë dhe identitetit, rendjes pas zgjerimit të pushteteve dhe grumbullimit të forcës dhe pasurisë, neglizhencës brenda familjes, shtypjes së më të dobëtit dhe tendencës përherë në rritje të shfaqjes së kthetrave të njeriut të zhveshur nga besimi i drejtë dhe vullneti për t’u kthyer nga Krijuesi që e pret me mëshirë e falje..!

Çfarë ka ndodhur sot? Përse nuk ka një përpjekje nga secili prej nesh për të kapërcyer ca pengesa dhe për të kaluar një prag, që na ndan nga ndjenja e pastër e dashnisë dhe mallit për Zotërinë e bijve të Ademit, për shfaqjen e të cilit në këtë botë, All-llahu i Madhëruar shpalli në Kur’an: “Është e vërtetë se All-llahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi një të dërguar që atyre t’u lexojë argumentet e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë, edhe pse më parë ata ishin krejtësisht të humbur”.[1]

Pra, në një mënyrë a një tjetër, sot kemi nevojë të ngrihemi nga gjendja e neglizhencës dhe pasivitetit në hak të fesë, të kuptojmë drejtë se Hz. Muhammedi (a.s.) është DHURATË e madhe nga Zoti i gjithësisë për njeriun dhe jetën në këtë univers! Dhe se, kjo dhuratë e madhe, shoqërohet me leximin e argumenteve të Tij, edukimin e brendshëm të nefsit, pastrimin e tij, si dhe mësimin e Librit dhe Urtësisë!

A e kemi bërë ne këtë? A e kemi lexuar drejtë Librin, a kemi kërkuar për mësuesin e Librit, edukatorin e nefsit,  udhërrëfyesin  drejt urtësisë? A e kemi lexuar me hollësi thënien e tij (a.s.): “Ata, që më së shumti më duan nga ymeti im, janë një popull pas meje. Do të dëshironte ndonjëri prej tyre të jepte familjen dhe pasurinë e tij, vetëm të më shihte”[2], me qëllimin e matjes së gjendjes sonë në raport me këtë dëshmi hyjnore? Me fjalë të tjera: A e duam dhe sa e duam ne sot, të Dërguarin e All-llahut? Por, përpara kësaj, sa e njohim dhe sa e lexojmë ne atë?

A nuk është fillimi i këtij muaji të begatë, një mundësi më shumë për të lexuar drejtë ajetin kur’anor: “Apo, mos nuk e njohin të dërguarin e vet (Muhammedin), prandaj e refuzojnë?”[3], në rrugëtimet tona për ta njohur dhe kuptuar përherë e më drejtë dhe thellësisht të Dërguarin e All-llahut (a.s.), shembullin e tij; fjalën dhe veprën e tij, miratimin dhe heshtjen e tij, luftën dhe paqen e tij, lutjen dhe adhurimin e tij, përpjekjen dhe qëndrueshmërinë e tij në Thirrjen Islame,  por jo vetëm?

A nuk është përkujtimi i ditës së ardhjes së tij në këtë botë, një frymëzim më shumë për gjithësecilin prej nesh, për ta bërë këtë ditë, një moment më shumë për t’u afruar me besimin dhe fetarizmin, me adhurimin dhe përmirësimin e gjendjes, me pendimin dhe kthimin e vendosur nga ajo derë e madhe, që s’mbyllet kurrë në fytyrat e kërkuesve të lartësive?

Thoshte (a.s.): “Ajo është një ditë në të cilën unë kam lindur!”[4], ndërsa Hoxha i jonë H. Vehbi Sulejman Gavoçi, në lidhje me këtë, theksonte: “Shohim se ai Zotëri (a.s.) përmendi ditëlindjen e tij dhe na mësoi me e ditë atë ditë të bekuar. Para qindra vjetësh dhe deri sot, ulematë në hadith, tefsir, fikh etj., kanë festuar dhe e festojnë ditëlindjen e Profetit (a.s.)! Kanë lexuar jetën e Profetit (a.s.) në disa faqe të zgjedhura. Kanë lavdëruar cilësitë e tij, siç e ka lavdëruar Hassani përpara vetë Profetit (a.s.), kanë rënë salavatë mbi Pejgamberin (a.s.) me qindra herë…”.[5] Po ne, pse po lejojmë të na zbehet kjo dashni dhe kjo shfaqje e mrekullueshme e saj, nëpërmjet aktiviteteve dhe tubimeve, ligjëratave dhe këndimeve, dhënies së sadekave dhe nxitjes së pasimit të tij (a.s.)?

A nuk është koha të sillemi me zemër nga kërkimi i kësaj dashnie të madhe që nuk na lë të devijojmë e të rrëshqasim, edhe pse përherë mendojmë se po veprojmë më të mirën; edhe kur gabojmë, edhe kur i hyjmë në hak të tjerëve, edhe kur heshtim në kohën kur duhet folur, edhe kur nuk ngrihemi për ta ndryshuar të keqen në një kohë që ajo ka kaluar në ekstrem shkatërrues, edhe kur nuk gjejmë forcën për të thënë një fjalë të mirë nga ndrojtja a frika e paragjykimit, edhe kur nuk reagojmë me urtësi dhe krenari kur lëndohemi e përçmohemi nga misionarët e përçarjes dhe intolerancës ndaj muslimanëve sot në botë, edhe kur.., edhe kur..!

Ndërkohë, Resulull-llahu (a.s.) e thoshte haptas, me zemër të lënduar, por me shpresë të madhe: “Shembulli im dhe shembulli juaj është si puna e një personi që ka ndezur një zjarr, në të cilin fluturat dhe karkalecat vijnë e hidhen në të, ndërsa ai i largon me dorë që mos të bien. Edhe unë mundohem t’ju largoj nga zjarri e ju më ikni nga duart”.[6]

Sot, të dashurit e mi, teksa ju uroj me zemër hyrjen e këtij Muaji të begatë, që zgjon zemrat nga hutimi, mendjet nga plogështia dhe gjendjen tonë nga pasiviteti regresist, ju ftoj të kuptoni thelbin e thirrjes hyjnore: “Mëshira Ime ka përfshirë secilin send. Atë (Mëshirën) do ta caktoj për ata të cilët u ruhen (gjynaheve), e japin zekatin dhe për ata që i besojnë argumentet tona. (157) Të cilët e pasojnë të dërguarin (Muhammedin), profetin analfabet, (që nuk shkruan as nuk lexon), të cilin e gjejnë të cilësuar (të përshkruar me virtytet e tij), tek ata në Teurat dhe në Inxhil, që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet, dhe heq nga ata barrën e rëndë të tyre dhe prangat që ishin mbi ta. Pra, ata të cilët e besojnë atë, e nderojnë dhe e ndihmojnë, veprojnë me dritën që u zbrit me të, TË TILLËT JANË TË SHPËTUARIT!”.[7]

Kjo është thirrja, rreth së cilës ia vlen të mendojmë e të reflektojmë, në rrugëtimin tonë në kërkim të fillit të artë të asaj dashnie, për të cilën i Dërguari (a.s.) ndjehej krenar dhe i bindur se: “Ata, që më së shumti më duan nga ymeti im, janë një popull pas meje. Do të dëshironte ndonjëri prej tyre të jepte familjen dhe pasurinë e tij, vetëm të më shihte”.[8]

A jeni të gatshëm për t’iu përgjigjur kësaj dëshmie-sfidë?

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbeja e mbajtur në xhaminë e Parrucës, më 1 Rebiulevvel 1440 / 9 nëntor 2018)


[1] Kur’ani, Ali Imran: 164.

[2] Transmetuar nga Imam Ahmedi në “El-Musned”, nga Ebu Dherri (r.a). (1060). (Thotë Imam El-Mennavi në “Fejdul-Kadir”: “Ky hadith është prej mrekullive të tij (a.s.), kur ka folur për të panjohurën… Kjo i ka ndodhur shumë prej sufive të mëdhenj, që janë lartësuar në gradën e shikueshmërisë së tij (a.s.) në vazhdimësi. Thotë Arif El-Mursi: “Pasha All-llahun, sikur të fshihej prej meje pamja e Resulull-llahut (a.s.), sa hap e mbyll sytë, nuk do ta konsideroja më veten prej muslimanëve!”. – Shih: “Fejdul-Kadir”, botimi I, Bejrut, 1996, vëll. I, f. 649).

[3] Kur’ani, El-Mu’minune: 69.

[4] Transmetim i Imam Muslimit.

[5] Vehbi S. Gavoçi, “Njohuri rreth Kur’anit – Syneti e bidati”, Shkodër, 1999, f. 125.

[6] Ahmedi dhe Muslimi, nga Xhabiri (r.a).

[7] Kur’ani, El-A’rafë: 156-157.

[8] Transmetuar nga Imam Ahmedi në “El-Musned”, nga Ebu Dherri (r.a).