Promovohet libri: “Lëvizja për rivendosjen e lirisë së besimit fetar në Shkodër 1989-1990”, i autorit Prof. Dr. Bajram Xhafa
Myftinia Shkodër, në kuadër të aktiviteteve të larmishme të 35 vjetorit të lirisë së besimit, zhvilloi pasditen e së enjtes, më 13 nëntor 2025, promovimin e librit: Lëvizja për rivendosjen e lirisë së besimit fetar në Shkodër 1989-1990, të autorit të mirënjohur, Prof. Dr. Bajram Xhafa.
Të ftuar në këtë promovim ishin intelektualë, shkrimtarë, përkthyes, imamë, besimtarë dhe drejtues të ndryshëm të bibliotekës së qytetit.
Në krye të herës, teologu Arben Halluni bëri një paraqitje të librit dhe vlerave të tij, duke u përqendruar tek periudha 1989 – 1990, ku nisi të formësohej dhe të merrte rrugë përpjekja dhe lëvizja popullore për hapjen e objekteve të kultit në qytetin e Shkodrës.
Gjatë fjalës së tij, teologu Halluni vlerësoi kontributin e autorit dhe solli në vëmendje disa prej detajeve me vlerë të këtij libri që gjithsesi është një pasuri e shtuar për bibliotekat e qytetarëve shkodranë.
Në fjalën e rastin, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari theksoi se përkujtimi i këtyre datave është një moment reflektimi për të parë gjithsecili prej nesh marrëdhënien e tij me Zotin e gjithësisë, për të vlerësuar lirinë dhe për të mos lejuar nënshtrimin përpara taborëve të femohimit, që si në kohët e shkuara edhe sot, edhe deri në ditën e fundit të jetës mbi faqen e dheut kanë të njëjtin qëllim, prishjen e ekuilibrave të jetës dhe shkatërrimin e asaj çfarë ndërtohet me përkushtim dhe dashuri për Zotin e gjithësisë
Gjatë fjalë së tij, Myftiu Sytari shprehu një falënderim të drejtpërdrejtë për autorin e librit, Prof. Dr. Bajram Xhafa, ku ndër të tjera iu drejtua duke i thënë: “Ju i nderuar, Prof. Bajram Xhafa me veprën tuaj dhe aktivitetin tuaj në vazhdueshëm jeni një pikë frymëzimi për të gjithë ne për të respektuar librin dhe për të mos u ndarë nga bota e shkrimit, sepse sikurse lexojmë edhe në Kur’anin Famëlartë, Zoti i gjithësisë është betuar për lapsin, për hokën e bojës dhe për çfarë shkruhet, dhe për këtë ju meritoni një falënderim të madh” – përfundoi Myftiu.
Myftiu i Shkodrës e përfundoi fjalën e tij, duke ftuar për një fjalë rasti dhe për një përshëndetje me shumë vlerë mikun e shtrenjtë të Myftinisë Shkodër Dr. Ibrahim Matar, i cili ka mbërritur në qytetin e Shkodrës nga Damasku i Sirisë për një vizitë disa ditore për të ndarë me stafin e Myftinisë Shkodër dhe imamët e saj, por jo vetëm, eksperiencat e tijtë pasura në aktivitetin e larmishëm në fusha të ndryshme të Thirrjes Islame, udhëtimeve dhe shërbimeve të panumërta gjatë pesë dekadave të fundit të jetës së tij.
Me shumë emocion të pranishmit ndoqën edhe fjalën e mbajtur nga Dr. Ibrahim Matar, mik i Myftinisë Shkodër në këtë atmosferë të begatë të këtij viti jubilar.
Në fjalën e tij, Dr. Matar shprehu kënaqësinë e tij të madhe për këtë vizitë të parë në Shqipëri dhe Shkodër veçanërisht, duke theksuar se ndjehet shumë i lumtur dhe i befasuar nga bukuria e shpirtit të njerëzve, natyrës dhe çdo detaji në qytetin e Shkodrës.
Gjatë fjalës së tij, ai bëri një paralele ndërmjet gjendjes së mjerueshme me të cilën u përballën shqiptarë gjatë periudhës së komunizmit me atë, me të cilën u përball populli sirian gjatë periudhës së errët të regjimit të kaluar.
Ai theksoi se revolucioni që ndryshoi rrjedhat e historisë në Siri është një mirësi e madhe dhe një bekim nga Zoti, siç edhe nëntori i vitit 1990 ishte një revolucion i ngjashëm për ndryshimin e realiteteve shqiptare.
Ai falënderoi Myftiun e Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari për ftesën bujare dhe u lut që Shqipëria dhe shqiptarët të kenë përherë prosperitet, mirëqenie, begati, harmoni dhe bekime pafund nga Zoti i gjithësisë.
Me shumë kënaqësi të pranishmit dëgjuan fjalën e autorit të librit, Prof. Dr. Bajram Xhafa, i cili tregoi për prapaskenat e përgatitjes së këtij libri, ku theksoi ndër të tjera: “Përgatitja e këtij libri më ka kushtuar 15 vite jetë. Edhe sot e kësaj dite, kur libri ka dalë në qarkullim, mendoj se po të mos ishte botuar, do të kisha shtuar akoma edhe më.”
Autori falënderoi Shtëpinë Botues Alsar dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, duke vënë theksin te rëndësia që ka regjistrimi i ngjarjeve të ndryshme historike për të dëshmuar me argumente të qarta atë çfarë është jetuar dhe dëshmuar në këtë vend, me shpresën që e keqja të mos përsëritet më, dhe rezistenca ndaj të keqes të promovohet si vlerë e shtuar në mesin e njerëzve.

















