I dashtuni, Haxhi Fejzi!
Sonte u mblodhëm në faltoren e Rusit tand të zemrës, në përkujtim plot mirënjohje të zotnisë tande. E di mirë, ti do doje që ky takim të ishte në xhaminë e re të Rusit, po ja që brenga ime përkarshi dëshirës tënde, më shton edhe më shumë përkushtimin për të mos e ndalur asnjëherë dinamikën e angazhimit për ta arritur atë ditë të shumëpritur, përtej çdo gjëje…
U mblodhëm, të kujtuam e në përfytyrimet tona, ti ishe sërish aty, në minberin tënd, duke elaboruar plot pathos e zemër, hytben e 35 vjetorit, duke shfaqur ndër të tjera edhe zemëratën tënde legjitime për shumë e shumë zhgënjime, nga fundi i 90-ës e deri më sot..(!?), për shumë e shumë.., që gjithsesi, nuk dua ta prish përshpirtjen e këtij kushtimi, me përmendjen e tyre..!?
Ti u largove me faqe të bardhë. Me karizmën tënde, me zërin kumbues e gatishmërinë e pashembullt, për të qenë përherë aty, ku shumëkush, do të dëshironte të ishte pluhur heshtjeje, sesa të thirrej e të mbulohej me perden e heshtjes së brendshme… Ishte rizku jot, ishe shembull vetmohimi, ishe vetmitar në llojin tënd e, përtej rrobës tënde… Ishe, mbete e do të kujtohesh, si i përkushtuar pa asgjë në këmbim.., përveç një gjëje në mes zemrës tënde e Zotit të saj!
U largove.., dhe si shehid të përcollëm, teksa sot, në këtë mbrëmje përkujtimore, zëri yt sërish kumboi, edhe muret e faltores tënde kishin mall..
Na fute në mendime e, duke na ngarkuar edhe me më shumë respekt e vlerësim për gjurmën tënde unike, e përfundove fjalinë e ligjërimit tënd të fundit, me lutje për Shkodrën..!
Allahu të mëshiroftë, Haxhi!
Imam Muhamed B. Sytari
Në lutje, më 11/11/2025
___________________
https://www.instagram.com/muhamed.sytari
