“Duaja në jetën e muslimanit”, ligjërata me vlerë në xhaminë e Dudasit

Në vazhdën e ligjëratave që Myftinia Shkodër po zhvillon në xhami të ndryshme të qytetit, ditën e martë, më 5 mars 2019, në xhaminë e lagjes Dudas, u zhvillua aktiviteti me temë: “Lutja në jetën e muslimanit”.

Në këtë mbrëmje fetare me dobi për të pranishmit, ligjëroi imami i xhamisë “Ebu Bekër”, teologu Idmir Plaku, si dhe imami i xhamisë Dudas, teologu Adrian Uraj. Aktivitetin e përshëndeti edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari.

Ligjëruesit vunë theksin tek rëndësia e madhe që ka duaja në jetën e muslimanit, si një derë mëshire e hapur nga Zoti i gjithësisë për krejt krijesat e Tij, pa ndërmjetësinë e askujt.

Ligjëruesit shpjeguan se përse lutja mbetet një cak i rëndësishëm për krejt besimtarët, si dhe një mundësi e mrekullueshme e afrimit të përhershëm me Zotin e gjithësisë.

U theksua se lutjet e shpeshta janë bekim për jetën e njeriut, qetësi shpirtërore dhe kënaqësi, që rrezaton në jetën e përditshme, në harmoninë familjare dhe marrëdhëniet me njerëzit mbarë.

Njëkohësisht u komentuan ajete që nxisin lutjen, si dhe u shpjeguan shkallët e etikës së lutjes, në marrëdhëniet e njeriut me Zotin e tij.

Aktiviteti u mbyll me urimet e teologut Lavdrim Hamja dhe falënderimet e imamit H. Vehbi Dani.