Përfundon rregullimi i banesës së z. Dashamir Plangaj

Paraditën e së hënë, më 8 prill 2019, përfaqësues të Myftinisë Shkodër, z. Arben Halluni dhe z. Lavdrim Hamja së bashku me Administratorin e Njësisë Administrative Postribë, z. Altin Shabaj të shoqëruar edhe me përfaqësues të grupit të punës, shkuan dhe panë nga afër përfundimin e rregullimit të plotë të shtëpisë së z. Dashamir Plangaj.

Kjo nismë erdhi si rezultat i sensibilizimit të bërë, nga Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, më 2 shkurt 2019, i cili pasi pa nga afër gjendjen e mjeruar të kësaj familjeje, bëri thirrje për të kontribuar dhe për të ndihmuar rastin në fjalë.

Kështu që, brenda një periudhe të shkurtër, u arrit rregullimi dhe sistemimi i plotë i banesës së familjes Plangaj dhe sjellja e saj në kushte jetese.

Myftinia Shkodër falënderon imamët e xhamive të Postribës dhe xhematin e tyre për kontributin e dhënë, Administratorin e Njësisë Administrative Postribë, z. Altin Shabaj, z. Zamir Milani, që udhëhoqi grupin e punës, shoqatat e ndryshme, si dhe të gjithë ata emigrantë dhe qytetarë të tjerë, të cilët iu përgjigjen pozitivisht kësaj thirrje bamirëse.

All-llahun e Madhëruar e lusim t’ua shpërblejë me të mira dhe t’i dhurojë mirësi e begati.